Ishte një natë e zymtë vjeshte. Në një fshat të vogël, në pjesën perëndimore të Kosovës, në Pobërgjë të Deçanit kur të gjithë ishin në gjumë, një vajzë morri guximin të largohej nga familja. Në atë kohë, vajza 17 vjeçare nuk mund të pajtohej me fatin e paracaktuar nga familja: mos shkollimin dhe idenë për një martesë të hershme.

“O mos gaboni me më feju, se nuk shkoj!” “E kjo ka qenë arsyeja që i kam sjellë shumë probleme nënës sime, si një nënë e vetme, me 7 vajza, e pambrojtur”… Kjo vajzë rebele dhe feministe e guximshme është Xhejrane Lokaj, sot një grua 62 vjeçare.  

Historia e saj:

Pas përfundimit të klasës së tetë, për tri vite radhazi po priste nga nëna dhe babai konfirmim në qoftë se ajo do të mund të vazhdonte shkollën e mesme. Pa marrë parasysh lutjet e arsimtarëve, drejtorit të shkollës, kryetares së rinisë, ata nuk u pajtuan kurrsesi. E rritur në një familje me tradita dhe zakone të trashëguara, në asnjë mënyrë nuk e pranonin shkollimin e vajzave dhe barazinë gjinore.

Atëherë, ikja ishte e vetmja alternativë, duke marrë udhë drejt stacionit policor në Deçan me një kërkesë të vetme: “Du me u shkollue”.

Përgjegjësinë që e morri në moshë të re për vetën, gjashtë motrat e saj dhe familjen për shkollimin dhe avancimin e pozitës së gruas në shoqëri janë kujtimet nga rinia që Xhejranja i morri me vete, gjatë tërë jetës.  “Ti je vajzë dhe ruaju, ki kujdes çka po flet e çka po ban’. Djemtë janë ndryshe, ata i kanë kambët e lira”, e përshkruan ajo dallimin thelbësor mes grave dhe burrave në atë kohë.

Pas shumë vitesh, jeta e sfidoi përsëri duke e dërguar atë në jug të Kosovës, në një vend të izoluar, malor dhe patriarkal. Ajo filloi të punonte në Komunën e Deçanit si mami, por edhe duke promovuar vlerat e barazisë gjinore.

Ajo ka themeluar organizatën joqeveritare “Iniciativa për gratë e Dragashit”, ku punon pa u lodhur për të parandaluar martesat e hershme dhe avokon  për vajzat dhe gratë në komunën e saj që të kenë qasje në shkollim. Ajo po i lufton paragjykimet dhe nënvlerësimet ndaj vajzave “Jo kjo çikë nuk din, kjo nuk po mundet, a i besohet gruas”. Mirëpo, dëshpërohet shumë kur gratë dorëzohen para sfidave të padrejta.

Organizata të cilën e drejton Xhejranja organizon punëtori dhe takime të ndryshme me vajzat e fshatrave më të largëta dhe më të thella malore që përbëhen nga komuniteti shqiptar dhe komunitetit gorano –boshnjak. Deri më sot ata kanë zbatuar shumë projekte në fusha të ndryshme si: fuqizimi ekonomik, dhuna në baza gjinore, dhuna në familje, anti-trafikimi, barazia gjinore dhe shëndetësia. Me anë të disa iniciativave, edhe pse me shumë vështirësi, sot në Komunën e Dragashit është rritur numri i vajzave që ndjekin studimet, është rritur numri i grave të punësuara dhe punëkërkuese. Xhejranja së bashku me organizatën e saj kanë guxuar të flasin për ndarjen e pronës në familje, si dhe kanë inkurajuar dhe përkrahur shumë gra për t’u kyçur në politikë.  

Gjatë viteve 2012-2013, Xhejrane Lokaj dhe organizata të cilën e drejton në bashkëpunim me komunën e Dragashit zhvilluan aktivitetin për arsimimin e vajzave, me vizita shtëpi për shtëpi në fshatrat e kësaj komune. Ajo arriti me sukses në disa fshatra siç është fshati Krushë, ku 6 vajza filluan shkollimin e mesëm. Mirëpo, ishte ndarë mjaft e zhgënjyer kur në fshatin Restelicë nuk kishte pasur sukses.

E ëndrra e saj për t’i fuqizuar gratë dhe burrat në Kosovë është vetëm përmes arsimimit dhe punësimit. Këto dyja do t’i mundësojnë grave vendimmarrje të barabartë në familje dhe në shoqëri.

Aktiviste