Një grua si Vjollca Krasniqi, një aktiviste dhe sociologe që ka kontribuar në mirëqenien e grave dhe të burrave. Ajo ka përfunduar doktoratën në Universitetin e Lubjanës, studimet master të shkencave për studime gjinore, zhvillim dhe globalizim në London School of Economics and Political Science (LSE), ndërsa pikënisjen universitare e mori në fakultetin e Filozofisë dhe Sociologjisë në Universitetit e Prishtinës. Vjollca ka qenë një ndër gratë e para aktive nga Kosova në lëvizjen e grave në Ballkan, si organizatore dhe pjesëmarrëse e një numri konferencash në nivelin ndërkombëtar mbi çështjet politike dhe gjinore. Ndërsa sot, ajo është e përkushtuar në pjesën akademike duke hulumtuar dhe shkruar për tema si: ndërtimi i paqes, migrimi, etnia, kujtesa kolektive, lufta, teoritë post-koloniale, teoritë feministe, trupi, sociologjia e përditshme, trans-nacionalizmi dhe etnografia.

Vjollca, e cila vjen nga Mitrovica, por që aktualisht jeton në Prishtinë, Kosovë, qysh herët ka vënë re regjimet gjinore, rolet dhe pozitat shoqërore të grave dhe burrave. Fëmijëria e saj është një rrugë e mbushur me kujtime mbi letërsinë, artin, kulturën dhe pasionin për dijen. Gjatë shkollës fillore ajo gjithmonë ishte e përfshirë në garat e astronomisë, ku në nivel të Kosovës ka fituar vendin e dytë dhe të tretin.  Përtej astronomisë, Vjollca lexonte shumë për letërsinë anglo-amerikane, shqipe, ruse dhe ishte gjithmonë duke kërkuar një vend në univers, identitetin dhe përkatësinë e saj.

“Jam edukuar të besoj se barazia gjinore është themel i zhvillimit shoqëror. Se dallimet gjinore janë të konstruktuara për t’i dhënë pushtet burrave. Jam rritur me mësimin se vajza dhe djali janë të barasvlershëm”, vlerësoi Vjollca.

Si studiuese e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze dhe më pas e Filozofisë dhe Sociologjisë, ajo ka kuptuar edhe më shumë për narrativet e mëdha dhe ndikimet e tyre në ndërtimin e regjimeve gjinore. Veprat e Virginia Woolf dhe filozofia e Simon de Beauvoir ishin vendimtare në orientimin saj në studime, kërkime dhe në rëndësinë e angazhimit të saj për barazi gjinore. Për këtë ajo gjithmonë kishte pasur përkrahjen e familjes dhe shoqërisë, sepse përpjekja e saj për barazi gjinore e ka definuar gjithmonë atë.

Duke qenë në mesin e aktivisteve të para në lëvizjen e grave, rrugëtimi i saj për barazi gjinore ishte plot me momente të veçanta, me aktiviste pasionante nga Kosova, rajoni dhe bota. Disa nga momentet më të lumtura të angazhimit të saj ishin: Konferenca e Grave në vitin 2000; Aktivistet në Ballkan Kalojnë Kufijtë, dhe Gjykata e Grave për luftërat në ish-Jugosllavi. Të tri këto aktivitete shënojnë momente shprese për drejtësi gjinore në Kosovë dhe vendet në rajon, si dhe ishin në kërkim të strategjive për vizionin feminist për drejtësi shoqërore.

“Flisnim një gjuhë universale për barazi gjinore duke iu referuar kushteve të veçanta. Kështu zhvillohej një mendim i ri politik feminist” përshkruan kujtimet nga ajo kohë Vjollca.

Vjollca sot është mësimdhënëse në departamentin e Punëve Sociale në fakultetin e Filozofisë në Universitetin Publik të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ajo është e përfshirë në shumë projekte të cilat kanë pasur ndikim shoqëror si: 1)Programi Universitar për Studime dhe Hulumtime Gjinore, një platformë e cila zhvillon mendimin kritik teorik për gjininë në studimet universitare.

2) Platforma qytetare aktiviste ”Marshojmë, s’festojmë” që është kolektiv tjetër me qëllim për ta shfaqur barazinë gjinore dhe drejtësinë shoqërore dhe 3) Shkolla Verore për Gjininë dhe Seksualitetin, që zhvillon mendim kritik për seksualitetin dhe gjininë, problematizon dhe lufton homofobinë, nxitë pjesëmarrjen e të rinjve në kërkime dhe projekte avokuese për drejtësi gjinore. E lidhur në shumë forma me të drejtat e grave, Vjollca e sheh fuqizimin e grave dhe burrave në Kosovë si e drejtë për vetëvendosje.

”Fuqizimi është liria për realizim të ëndrrave dhe potencialit ekonomik, intelektual, artistik dhe qytetar. E njëjta vlen dhe për burrin. Arsimi formal dhe jo-formal është kyç për politika emancipuese për barazi sociale. Sot në Kosovë gjinia dhe të drejtat e grave janë diskurs i rëndësishëm. Jemi dëshmitar të ndryshimeve të thella rreth konceptimit të të drejtave të grave në rrafshin institucional dhe kulturor”, thotë ajo.

Për fund, Vjollca njihet për punën ekipore, punën për barazi dhe drejtësi gjinore. Ajo ka shkruar për zhvillimet gjinore, politike dhe sociale në Ballkan.

Aktiviste