Rrëfimi i saj është tejet interesant së bashku me kujtimet  dhe dhuratat për datëlindje në adoleshencë.

Shukrije Gashi e lindur në muajin shkurt të 1960-ës në Prishtinë, një ish e burgosur politike, avokate e poete, tash e 20 vite ka kontribuar në ndërtimin e paqes duke udhëhequr Qendrën për Menaxhimin e Konflikteve – Partners Kosova dhe ka marrë pjesë në afër 400 raste të ndërmjetësimit.

Kujtimet nga bisedat me nënën, babain dhe gjyshen për të drejtat e shkelura të shqiptarëve dhe pabarazinë gjinore, janë kujtimet që ajo bartë me vete për fëmijërinë e saj. E rritur në një familje me të bëma kombëtare dhe arsimore, ajo ishte ushqyer me ndjenja të pastra kombëtare dhe arsimore.

”Shuki, kujdes mos fol me shoqe dhe shokë për bisedat tona mbrëmjeve rreth të drejtave të shkelura të shqiptarëve, sepse vjen UDBA i arreston burrat e djemtë, ndoshta edhe ty…Nuk e di moj bijë a vjen dita jonë, ndonjëherë që gratë shqiptare me fol në kuvend shqip për punë të barabartë me burrat?”, i kujton Shuki fjalët që nëna e saj ia thoshte.

Nëna e saj, e cila kishte mbetur pa baba në moshën 3 vjeçare, sepse ia kishte vrarë xhandarmëria serbe, i tregonte Shukit se sa e vështirë ishte jeta për familjen e saj, respektivisht për gratë. Atë (Hafijen – nënë e Shukit) as që e kishin pyetur xhaxhallarët e saj kur Ahmeti (burri i saj) e kërkoi për nuse kur ajo ishte 14-15 vjeçare sepse e kishte pëlqyer kur e kishte parë në katund.

“Ajo (gruaja) mbetej si një cung në mes të dhomës që kush të endet merr në thua në të dhe e nëmë ose e shanë moj bijë. Sidomos ne vajzat, mbetem shumëfish jetime; ishte kohë e vështirë ajo dhe kurrë mos u ktheftë”, i thoshte nëna Shukit kur asaj ia vranë babain. Kur ajo u rrit, e pranoi një dhuratë të veçantë dhe me shumë kuptim, por edhe interesante për këtë kohë. Ahmeti (babai i saj) ia dhuroi  kopjen e çelësit të hyrjes kryesore të shtëpisë. ”Shuki, tash je rritur mjaft dhe nuk ke më nevojë për pritjet e nënës tënde natën për të ta hapur derën, kur ti të kthehesh në shtëpi. Hyr dhe dil kur të duash. Ahmeti është njeri me edukatë, liberal dhe me shpirt të madh, i thanë shoqet Shukit.

Ishin prindërit dhe gjyshja ata që e frymëzuan Shukin të luftojë për më shumë të drejta të grave. Gjyshja e saj ka gëzuar besimin e madh të burrave, jo vetëm të atyre të shtëpisë, por edhe të pleqnarëve të lagjes për të pleqnuar rreth gjetjes së zgjidhjeve të problemeve të komunitetit për ngatërresa të ndryshme. Fjala e saj ka pasur peshë të madhe në odat e burrave, të njohur si ndërmjetësues tradicional dhe pajtimtarë. Shpeshherë, ashtu siç e kujton Shuki, ka rastisur që të takojë burra me mustaqe të mëdha, duke kërkuar këshilla nga ajo.

Sot Shuki punon si drejtoreshë ekzekutive Qendrën për Menaxhimin e Konflikteve E veçanta e këtij programi, ka qenë dhe mbetet, ndryshimi i kulturës së të menduarit te gratë dhe burrat, nga të menduarit konvencional në atë të menduarit dhe vepruarit kritikë për çështjet gjinore dhe barazinë në mes të burrave dhe grave. Ajo sot lufton shumë përmes, siç thotë Shuki “thjerrëzave gjinore” për realizimin e barazisë gjinore. Kjo qendër ka implementuar shumë nisma si: Programi i Ndërmjetësimit & Hartimi i Projektligjit të parë për ndërmjetësim të Kosovës. Kjo nismë ka zhvilluar trajnime për ndërmjetësuesit e rinj, duke u mundësuar qasjen e zgjedhjes së konteksteve dhe mosmarrëveshjeve të ndryshme; Programi për luftimin e radikalizmit të dhunshëm fetar që shpie në terrorizëm, projekt i cili përmes mendimit kritik ka trajtuar temat e radikalizmit me nxënësit e shkollave të mesme.

Shuki, një aktiviste e cila për dekada ka promovuar ndërmjetësimin dhe të drejtat e njeriut, shpreson se barazia dhe fuqizimi i grave në Kosovë do të bëhet kur do të kemi barazi në nivelet e vendimmarrjes, kur do të kemi gra në pozitat e udhëheqjes, si kryeministre, kryetare, ministre, në veçanti ministre e Mbrojtjes dhe  ministre e Punëve të Jashtme etj.

Sa herë që gratë dhe burrat reagojnë për mbrojtjen e të drejtave gjinore dhe të drejtave të njeriut, për mua është një festë. Më dëshpëruesja mbetet statusi i grave viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë (1998-1999), si dhe mungesa e vullnetit të drejtësisë ndërkombëtare që regjimin e Millosheviçit, duke përfshirë edhe një pjesë të atij regjimi ende aktiv në Beograd, për ta paditur dhe dënuar për gjenocid në Kosovë dhe në Bosnje”, thotë ajo.

Shuki ishte gjithashtu anëtare e Bordit të Rrjetit të Grave të Kosovës, zëvendës komisionere  e Komisionit të Ndihmës Ligjore në Kosovë dhe anëtare e Komisionit Rajonal për Themelimin e Fakteve rreth Krimeve të Luftës.

Aktiviste