Një ëndërr kolektive e gjallë që mban histori mbi supe. Një grua thellësisht energjike. Shqipe Malushi, me një histori jo të zakonshme, është katalizatore e ndryshimeve në shumë vende. Ajo ka bërë 18 operacione, ka qenë e paralizuar, por sërish e ngritur në këmbë, e përballuar me sëmundjen e kancerit, por që ka ndryshuar botën kudo që këmba e saj ka shkelë.

Shqipja u lind në Pejë në një familje të njohur për kontributin e tyre ndaj kombit shqiptar, ajo është mbesë e Haxhi Zekës, , udhëheqës i shquar i Lëvizjes Kombëtare anti-osmane. Në moshën 3 vjeçare i vdiq babai, i cili ishte farmacisti i parë në Kosovë dhe e la nënën e Shqipes 24 vjeçare të ve. Dhimbjen të cilën e përjetuan familjarët e Shqipes, sidomos gjyshja e saj ishte shumë e rëndë për të. Kështu që Shqipja, qysh e vogël u mundua që gjithmonë t’i bëjë të tjerët të qeshin dhe për pak çaste t’i shijojnë të mirat e këtij universi, duke sjellë lumturi aty ku kishte dhimbje. Pas vdekjes së babait të saj, ajo është munduar që ta thyejë ciklin tradicional dhe disiplinën patriarkale në shtëpinë saj.

“Veç me dajak me kanë ndalë pak se përndryshe s’kanë mujt qysh me më kontrollu”, tregon Shqipja e buzëqeshur.

Ëndrra e saj ishte të luajë në cirk apo të hyjë në botën e televizionit, sepse jeta në Pejë ishte shumë e mërzitshme dhe cirku ishte i vetmi argëtim për të. Kështu, një ditë në moshën 14 vjeçare ajo u largua nga shtëpia e saj për ta parë botën, pasi që kishte lexuar në një revistë të kohës se Tom Jones po i ndihmon fëmijët jetim dhe të talentuar.  Ia vodhi pasaportën nënës së saj dhe rreth 5 mijë marka të asaj kohe gjyshit në shtëpi. Pas një aventure të çuditshme dhe filmike që kishte kaluar në qendrën kulturore e turistike të Turqisë, në Stamboll, ajo u kthye në Kosovë me anë të Interpolit. Pasi që refuzoi fillimisht të kthehet në shtëpinë e saj, u arrestua dhe u burgos në burgun tranzicional të Turqisë. Atëbotë, pas kthimit në Pejë, dënimin që e mori nga familja dhe rrethi për atë veprim pasoi heshtja, askush nuk ia tha asnjë fjalë të vetme për gjashtë muaj. Pas gjashtë muajsh, familja ia ndaloi shkollën për një vit dhe e “burgosi” në një dhomë të zymtë.

Por, historia e saj e dhimbshme nuk përfundon këtu. Gjatë qëndrimit në dhomë si e burgosur, ajo tentoi ta vras veten, por për fat të mirë shpëtoi, përkundër sfidave të shumta dhe një dozë të aventurave të mira dhe të këqija. Pas përfundimit të shkollës së mesme, ajo shkoi në Beograd për ta studiuar farmacinë, drejtim të cilin e la pas disa vitesh, kur filloi studimet në psikologji. As psikologjia nuk i pëlqeu, të cilën  e la në gjysmë. Filloi studimet në gjuhën frënge, ndërsa në fund e përfundoi fakultetin e albanologjisë dhe gjuhës shqipe. Më 20 qershor 1980 hapet një program për shkëmbim të studentëve për 3 muaj në USA, ku Shqipja u pranua.

Gjatë rrugëtimit për në SHBA, bën një pakt me vetveten dhe vendos të bëhet shkrimtare. Shqipja ka gjetur gjithmonë mënyra për të vazhduar kërkimin dhe aventurat në rrugën e saj, përtej maleve të Rugovës dhe duke mos u kthyer  më në Kosovë.

Tërë jetën ia ka dedikuar fuqizimit të gruas dhe ndërtimit të paqes. Ka ligjëruar mbi demokracinë, të drejtat e njeriut, menaxhimin e krizës në SHBA, Shqipëri, Kosovë, Afganistan, Kili, Liban, Kabul dhe Indi. Ka punuar në këto vende si këshilltare për çështje gjinore dhe zhvillimin e potencialit njerëzor.

Në New York ka përfunduar studimet bachelor në Universitetin Sarah Lasrence Collegedhe ka vazhduar studimet master në Universitetin e Nju Jork-ut. Gjatë karrierës së saj ka fituar çmimet: medaljen e NATO-së për mbështetjen e Kosovës në Misionin për Ruajtjen e Paqes, Engjëllin e Paqes nga Women’s Day Magazine dhe Gruaja e Vitit e zgjedhur nga Refugee Women’s Network. Gjatë luftës në Kosovë, ajo u kthye për t’i ndihmuar refugjatët e traumatizuar në kampet e Shqipërisë. Përveç në Kosovë, një gjë të tillë e bëri edhe në shumë vende tjera të botës. Shqipja  gjithmonë është munduar të gjejë forma të ndryshme për t’i ndihmuar të tjerët ta përjetojnë të mirën dhe dashurinë. Sot, ajo është shkrimtare, trajnere për udhëheqje, çështje gjinore dhe aktiviste për të drejtat e njeriut.

Ajo është një avokuese për paqen që promovon dashurinë mes njerëzve dhe kujdesin ndaj njerëzimit, gjë që ia ka ndryshuar jetën shumë personave të kësaj bote. P.sh po i përmendim vetëm disa nga shumë të mirat që ajo i ka bërë: ajo e lindi për herë të dytë Sylë Kodrën nga Prizreni, e bëri të ecë përsëri duke ia siguruar dy proteza të këmbëve në Indi, sepse në Kosovë ishte e pamundur. Siguroi mjete financiare që Valmira Berisha, një vajzë e verbër që të vazhdonte studimet në doktoratë; i ndihmoi një vajze nga India e cila përjetonte dhunë nga vëllezërit që të merrte bursë nga Universiteti i Pragës për studimet në film e shumë ngjarje të tjera të cilat me modesti nuk dëshironte të krenohej me to.

Aktiviste