“Kjo luftë do të jetë luftë kundër grave”, thoshte zonja Sevdije, gjatë intervistës së saj për Oral  Histori, tek sa përkujtonte kohën gjersa Millosheviçi filloi regjimin e tij duke u ankuar për numrin e madh të lindjeve nga ana e grave shqiptare. Sevdije Ahmeti ishte shtyllë e lëvizjes së grave si aktiviste, shkrimtare, feministe dhe avokate për të drejtat e njeriut. Sevdije Ahmet është lindur më 5 nëntor 1954 në qytetin e Gjakovës, Kosovë, ndërsa pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Prishtinë.

Një kohë ajo kishte punuar edhe në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës si redaktore, pas përfundimit të Fakultetit Filologjik si një ndër studentet më të dalluara. Gjatë punës në bibliotekë, ajo kishte shkruar kundër stereotipeve gjinore ndaj grave shqiptare të portretizuara nga mediat jugosllave. Gjatë vitit 1989 ajo punoi në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, ku publikoi shumë raporte për organizatën Amnesty International.

Si ideatore e Lëvizjes së Grave në vitet 1990, s’pranoi të bëhej kryetare sepse në shpirt e donte aktivizmin, e donte fjalën e lirë, e donte rebelimin. Ajo ka qenë ndër iniciuesit e aktivizmit të lëvizjes për të drejtat e grave dhe demokracisë në Kosovë dhe rajon. Sevdije Ahmeti së bashku me Vjosa Dobrunën ishin bashkëthemeluese të Qendrës për Mbrojtje të Gruas dhe Fëmijës, më 1993, një ndër organizatat e para joqeveritare në Kosovë të cilat aktivizmin e vet e kthyen edhe në protesta për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të grave, si dhe për paqe dhe kundër represionit shtetëror serb ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Në dhjetor të vitit 1993 në Asamblenë e Qytetarëve të Evropës në Ankara ajo propozoi Rezolutën “Aparteidi në Kosovë” dhe vazhdoi me fushatën kundër aparteidit në Kosovë. Në korrik 1997, në Vjenë hartoi rezolutën mbi shkeljen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, të cilën ia dorëzoi znj. Elizabet Rehn, raportuese speciale e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në ish-Jugosllavi dhe znj. Swanee Hunt, ambasadore e SHBA-së në Vjenë (Asambleja e Kombeve të Bashkuara në nëntor 1997 aprovon rezolutën dhe shpreh brengat ndaj Serbisë).

Zonja Ahmeti, po ashtu ka kontribuar në dokumentimin e dhunimeve gjatë kohës së luftës, duke bashkëpunuar ngushtë edhe me Tribunalin e Hagës, personalisht u përkushtua në mirëqenien dhe strehimin e dëshmitareve nga Kosova te cilët dëshmuan në tribunal. Ajo u ndihmoi po ashtu edhe grave nga Kroacia dhe Bosnja në dokumentimin e dhunës seksuale, kur ato u strehuan në Kosovë gjatë kohës së konfliktit. Për aktivizmin e vet ka marrë disa njohje e dekorata ndërkombëtare, përfshirë çmimet e organizatave Human Rights Watch (2000) dhe Amnesty International (2005) si njëra ndër aktivistet më të shquara të të drejtave të njeriut në botë.

Sevdije Ahmeti ka qenë edhe ligjëruese ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, së fundi edhe në Instituin Oak, pranë Colby College në Maine të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa lidhur me punën dhe të drejtat e shtypura në Kosovë ka shkruar edhe artikuj, analiza si dhe libra, përfshirë librin “Joundal dune Femme du Kosovo” – Ditari i një gruaje të Kosovës 1998-1999”, botuar në Paris, Francë. Nga ky ditar është shkruar edhe një shfaqje e cila është luajtur në teatrot belge, të Prishtinës, dhe të Francës. “Ditari i një gruaje nga Kosova” është një interpretim për të cilin regjisori Zenel Laçi ishte frymëzuar nga kronikat e luftës të përshkruara nga Sevdije Ahmeti në librin me të njëjtin titull. Ky ditar  tregon tmerre nga spastrimi etnik në luftën e fundit, duke i treguar njerëzimit çmenduritë dhe pretendimet nacionaliste serbe dhe krimet e gjëmat që rrodhën prej tyre.

Gjatë kohës së luftës në Kosovë (1998-1999),  ajo i dërgoi më se 400 raporte ditore elektronike, rreth 1200 kontakteve në botë  duke dëshmuar se çfarë po ndodhte në Kosovë. Gjatë periudhës së luftës në Kosovë (1999) ajo lidhet me organizata ndërkombëtare për të filluar fushatën “Dhunimi si armë lufte” të përfshirjes së dhunimit masiv ndaj grave dhe vajzave shqiptare si krim kundër njerëzimit në akuzën kundër Sllobodan Milllosheviçit, të ngritur nga znj. Louize Arbour, prokurore ndërkombëtare në Tribunalin e Hagës, duke ofruar prova të fuqishme, gjë që në vitin 2001 përfshihet në akuzë.

Pas luftës shërbeu si anëtare e Këshillit Tranzicional të Kosovës, i themeluar nga administrata e Kombeve të Bashkuara dhe vazhdoi të udhëheqë Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Kosovë duke zgjeruar rrjetin e kësaj qendre në tërë Kosovën. Ishte luftëtare e denjë për të drejtat e grave dhe fëmijëve dhe me plot guxim.

Asnjëherë nuk hezitoi të avokojë dhe të ngrijë zërin për ta, të bëjë çmos për mbrojtjen e kësaj pjese më të lëndueshme të shoqërisë.

Zonja Sevdije ishte pjesë e Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës, si anëtare e bordit. Sevdija, shoqe, bashkëshorte, nënë, dhe gjyshe e përkushtuar, i mbylli sytë më 19 Nëntor 2016 duke u larguar nga kjo botë.

Aktiviste