Safete Rogova, 72 vjeçare, e lindur më 1 mars 1946 në Gjakovë, është grua aktiviste, e cila aktualisht jeton në Prishtinë dhe është nënë e dy vajzave, Iliriana Loxha Basha dhe Alba Loxha. Kur kujton fëmijërinë tregon që është rritur në një familje të madhe. “Ishim nëntë fëmijë edhe atëherë nuk i kishim kushtet ekonomike të favorshme. Prindërit gjenin mundësinë për të na veshur e ushqyer por lodra s’kishim. I krijonim vetë me imagjinatë. Krijonim kukulla me materiale të ndryshme që i tepronin nënës kur qepte. Me që kishim një oborr të madh, aty improvizonim lojëra të ndryshme duke i lidhur dy çarçafë nëpër pemë, duke treguar aftësitë tona kush çka dinte. Meqë unë shquhesha për recitim, mburresha se isha më e mira. Por kur u larguam nga Gjakova në vitin 1956, se babai kishte hapur një dyqan në Prishtinë e mendonte se edhe për ne do të ishte më mirë për t’u shkolluar, por erdha e përlotur se e burgosën mësuesin tim Besnik Kocin. Po, ardhja në Prishtinë më pikëlloi edhe më shumë kur pashë karvanin e njerëzve që ngarkonin kamionët për t’u nisur për në Turqi. Këto skena për mua si fëmijë ishin tronditëse por që vazhduan të përsëriten nëpër vite, 1968 – 1999. S’di a do të përfundojnë ndonjëherë!”

Safetja ka filluar të luftojë për të drejtat e grave, gjatë protestave të viteve 88-ta, ku kishte djem e vajza, djemtë iknin nga polica duke kapërcyer mure të larta ndërsa vajzat mbetshin  kacavjerrë nëpër tela. Ajo kujton se kur u kthye nga protesta vajza e saj Iliriana, ishte e përgjakur gjunjë e duar.

“Ne gratë nëpër marshe ktheheshim të dërrmuara por me një përbetim se s’do të ndalemi kurrë. Shpesh herë kemi sakrifikuar familjen, fëmijët për kauzën tonë. Shpesh ka ndodhur që i kemi lanë fëmijët në dorën e Zotit, por ne është dashtë me udhëtuar prej fshati në fshat, prej kodre në mal për tu dalë ndihmë grave e fëmijëve të rrezikuar e që ka ndodh që kemi qenë të rrezikuara edhe ne”.

Aktivitetet që Safetja mban mend gjithmonë si më të fuqishmet janë: dy aktivitete të rëndësishme, themelimi i Shoqatës “Motrat Qiriazi” dhe Lëvizja e Gruas e vitit 1990. Secila kishte peshën e vetë. “Motrat Qiriazi” i kishim dhënë detyrë vetes që të mos linin asnjë fëmijë pa shkollë, sidomos vajzat, dhe t’i bindim prindërit t’i dërgonin fëmijët në shkollë. Fillimi ishte i vështirë sepse edhe situata politike ishte e rëndë. U nxorën nga puna mijëra punëtorë, mësues e arsimtarë. Porse, Lëvizja e Gruas bëri kthesa të mëdha për pozitën e gruas. Shumë aktiviste iu bashkëngjitën Lidhjes Demokratike për të krijuar shumë udhëheqëse gra, e zëri i tyre do dëgjohej brenda dhe jashtë vendit. Aktiviteti i saj ka qenë shumë i lidhur me artin për t’i stimuluar emrat e rijnë në këtë fushë. Ajo potencon se kishin botuar shumë libra të poeteve si Shqipe Malushi, Flora Brovina, Fakete Rexha, Margitë Markaj, kishin incizuar me dhjeta radiodrama, përrallëza, filmin Ringjallja me skenar të Margitë Markaj, e shumë filma dokumentar si “Yllka Domi”, “Gratë e Drenicës”, “Nënë Tereza”, “Kosova – djepi im”. Ajo tregon se si sidomos kundër dhunës ndaj gruas kishin performuar me shumë shfaqje. Ajo rrëfen se si derisa luanim rrëfimet e grave gjatë luftës nga libri i Sanije Gashit “Kurrë ma”, qanim ne aktoret, qante publiku… “po dënesa e Nekibe Kelmendit nuk më shlyhet nga kujtesa!”.

Për të drejtat e barabarta në Kosovë Safetja beson që me gjithë këtë luftë shumë vjeçare të drejtat e grave janë më të realizuara. Ndoshta duhet vazhduar me angazhimin e grave në politikë. Por, ato gra kur të arrijnë atje duhet që të mos të sillen si burrat e të luftojnë për karrierë. Le ta kthejnë kokën për t’u siguruar edhe grave të tjera një mirëqenie. Solidariteti mbi të gjitha.

Në fuqizimin e gruas Safetja përmend që rol të rëndësishëm duhet të luaj edhe familja. Duhet t’i rrisim e edukojmë fëmijët me një frymë të barazisë sociale. Shpesh hasi prindër që u japin përparësi djemve, e vajzat i kanë për t’u ndihmuar rreth punëve të shtëpisë. Një grua që fuqizohet duhet t’i tërheq sidomos vajzat. Atëherë dëshmohet që ka arritur atë që ka synuar. Për një barazi të mirëfilltë burrë-grua na duhet kohë. Duhet të shkundemi prej paragjykimeve.

Projektet që kanë pasur ndikim shoqëror janë: Fuqizimi i gruas dhe arsimimi i vajzave. Vajzat që janë shkolluar e rritur në Has sot janë në pozita nëpër ministri apo institucione të ndryshme. Një gjë tjetër që ka në mendje është kur për herë të parë me Rrjetin e Grave kishin protestuar në vitin 2012 për të kërkuar drejtësi për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë.

Safetja me profesion është aktore, dëshiron të realizojë edhe role të tjera. Si aktiviste ka dhënë tërë qenien e saj për shoqërinë, por nuk e ka ndërmend të ndalet. Ajo thotë se do të shkojë aq larg sa të jetë nevoja.

Aktiviste