Rrezarta Abdullahu e përshkruan veten luftëtare, dhe marrë parasysh rrethanat nën të cilat operon, edhe guximtare.

Fëmijërinë e saj Rrezja e kujton kështu: “për neve fëmijët e luftës, siç tashmë kemi marrë emrin, jeta është e ndarë në dy pjesë: para dhe pas lufte. Dhe kur flasim për fëmijërinë, s’ka se si mos të na dalë para sysh përvoja traumatike dhe mbijetesa e cila ka prodhuar individë që me çdo kusht dhe në çfarëdo sfere kërkojnë të funksionojnë si qenie të lira, ndoshta edhe më tepër se sa të sigurta, sepse vend në botë nuk ka, nëse e paguan me çmimin e lirisë. Kështu, gati se të gjitha kujtimet e fëmijërisë veniten, para përvojës për të mbijetuar, që sot nuk lë pa u reflektuar edhe në përpjekjet e mija shoqërore”.

Si vajzë e vetme në një familje me shumë burra, kam mësuar se gjërat mund të marrin tjetër kahje nëse mes anëtarëve të një familje ka konsideratë për njëri – tjetrin, dhe veçanërisht nëse stimulohen anëtarët, të cilët kur ballafaqohen me botën jashtë, shtypen e diskriminohen. Unë gjatë gjithë jetës sime i jam ekspozuar një lloj diskriminimi pozitiv në familjen time të ngushtë, ku prindërit e mi kanë krijuar çdo lloj përparësie për mua, në vend të tre vëllezërve, me shpresë se kjo përpjekje një ditë do të mund t’i paraprijë gjetjes së vendit tim në shoqëri. Sigurisht se kjo nuk ka mjaftuar për ta gjetur vendin se ku përkas, ani pse më ka motivuar dhe më ka dhënë krahë që së pari ta trajtoj veten si qenie njerëzore, jo më pak se vëllezërit e mi; bota jashtë dhe ballafaqimi me të është i vrazhdë dhe i egër; sfidat janë të pafundme dhe mundësitë janë shumë pak, që për t’i kapur, lufta është e domosdoshme.

Pra, çdo gjë që krijojmë dhe bëhemi, na kthen tek nevoja bazë për të mbijetuar, që për të mbijetuar duhet të luftosh dhe ta bësh jo vetëm për veten, por për kushërirat e tua, për shoqet dhe motrat kudo që janë e nuk e kanë as zërin tënd e as motivimin.

Sot si aktiviste, nuk është e lehtë t’i trajtosh problematikat që së bashku me bashkëmendimtare ngrehim, pa dyshim që  paragjykohemi, madje edhe nga vetë shoqëria e familjet tona më të gjera, profilizohemi sikur problemet tona po ia veshim botës, etiketohemi, por nuk ia vlen nëse nuk arrijmë që së paku këto problematika t’i shtrojmë në tavolinat dhe ndejat e njerëzve që njohim. Për këtë e konsideroj se unë ia kam dalë, të paktën më nuk është tabu të flasim për të drejtën tonë në trashëgimi, për refuzimin e martesës, për ngacmimet seksuale në vend të punës apo në shkollë. Kjo më bën mua sot një aktiviste të pasionuar dhe të vendosur 100%.

“Projektet dhe aktivitetet të cilat pa pikë dyshimi kanë kontribuar në formimin tim si njeri dhe si aktiviste janë të shumtë,  duke përmendur këtu edhe vetë aktivitetet e qendrës Artpolis, për ç ‘gjë jam shumë mirënjohëse dhe e konsideroj si ndër dashuritë e mija të para që ka kultivuar pasion tek unë, si një grua e re që domosdo dëshiron të japë kontributin e saj. Por, vendi që mua më ka dhënë hapësirën për ta shpreh veten, shqetësimet e mija, për t’u solidarizuar me vajzat dhe gratë tjera përtej rrethit tim, është platforma online ‘Feminizmi Shqiptar’, të cilën unë vazhdoj ta konsideroj si shkollën e parë ku vajzat e reja sot mund ta gjejnë mbështetjen, kurajën dhe njohurinë për t’ia dalë me angazhimin e tyre. Është si një familje, ku gjen çdo gjë që të ka munguar.

Përveç kësaj, jam shumë e lumtur që historia ime është bërë film, dhe si i tillë do të jetë filmi i vetëm shqiptar që do të prezantohet në festivalin më prestigjioz të filmit, në Cannes.

Për drejtësinë e grave në Kosovë, Rrezja mendon se gratë mezi ekzistojnë në shoqërinë tonë; trajtohen dhe vetë trajtohen si qytetare dytësore; me disa role të posaçme që lidhen vetëm me riprodhimin, pa ndonjë rol në funksion të shoqërisë. Gratë nuk i gëzojnë të drejtat e tyre, ato veçse u shkelen, në secilën sferë dhe në secilin dimension.

Fuqizimi i gruas për Rrezen ka të bëjë me rëndësinë t’i ndihmojmë vajzat e reja të shkollohen dhe edukohen në mënyrë të mirëfilltë;  t’i ndihmojmë të punësohen dhe të pavarësohen, në mënyrë që mos të trajtohen si prona apo barra të dikujt. Njëkohësisht, duhet t’i shtyjmë burrat drejtë kuptimit të konceptit të barazisë; se barazia dhe drejtësia gjinore u lehtëson jetën edhe atyre dhe se bashkërisht e plotësojnë shoqërinë.

Duke ua dhënë mundësinë vajzave, ne i kontribuojmë edhe mënyrës se si ato në përgjithësi do të perceptohen, dhe se si do të krijohet një imazh i ri, që e shikon atë si pjesë të angazhimit social dhe bashkëveprimit me djemtë dhe burrat. Ndërveprimi sot është çelësi i shumë arritjeve shoqërore. Por, s’duhet lënë anash edhe përpjekjen për reforma absolute, që për mua nënkupton edukim gjinor në shkolla të mesme dhe të ulëta. Kështu do të mësojmë qysh në shkollë e në fëmijëri se njerëzit janë të barabartë, do të mësojmë njësoj, vajza e djem.

Projektet që kanë pasur ndikim shoqëror janë:

1)Seria e debateve në zgjedhjet lokale nga perspektiva e grave në zona rurale – Identifikimi i problemeve kyçe për gratë në zona rurale.

2)Platforma Barazia –  nismë e aktivistëve të rijnë për të drejtat e njeriut – Të bashkuar pro kauzës feministe në Kosovë.

3)Fëmijët e diellit – shkolla verore për vajzat dhe djemtë e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptas në Kosovë.
Profesioni i Rrezes është psikologe, vitin e fundit është angazhuar si redaktore në gazetën e përditshme Observer, në Prishtinë.

Aktiviste