Sa i përket karakterit të Manushaqes, ajo është shumë këmbëngulëse me parime të qarta dhe të paluajtshme. Ky fakt shpesh më bën të dukem shumë e rreptë, por para së gjithash preferoj t’i dëgjoj edhe mendimet e të tjerëve rreth bindjeve të mia. Sa i përket punës preferoj të ndjek parimet e udhëheqësit dhe jo të sillem si shef, ose në rastin tim si komandant. Për mua është shumë e rëndësishme që të jem shembull i mirë për pjesëtarët që i udhëheq, me synim që vetitë e udhëheqësisë të mos mbesin vetëm pjesë teorike që ata e dëgjojnë në orët tona mësimore ose trajnime. Rëndësia që i jap meritokracisë më ka bërë një person të qëndrueshëm në punë dhe të respektueshëm nga të tjerët. Manushaqen e simbolizon përkushtimi për ndërtimin e një shteti të qëndrueshëm dhe të fortë me mundësi të barabarta për të gjithë.

Kur përmendim fëmijërinë, Manushaqja kujton: ”Kam qenë një fëmijë shumë i gjallë dhe shpesh me ide më të guximshme se ç`duhej. Pak a shumë si të gjithë fëmijët e viteve të 90-ta që shumicën e kohës e kemi kaluar duke luajtur jashtë shtëpisë. Që nga fëmijëria deri më sot kam pasur një jetë shumë dinamike. Gjithmonë jam munduar që të përfshihem në aktivitete të natyrave të ndryshme dhe me grupe të ndryshme të shoqërisë, gjë që më ka ndihmuar që sot të jem më mendje hapur. Në kujtime më ka ngelur koha e luftës, kur si fëmijë në kokën time planifikoja se si të mbrohem nga ushtria dhe policia serbe. Ky kujtim më sjell një shkëndijë humori kur më vijnë ndër mend se si strategjia ime mbrojtëse atë kohë ka qenë kryesisht e bazuar tek filmi i vizatuar “Tom and Jerry” dhe filmi “Home Alone”. Duke u bazuar në këtë kujtim, sot nuk habitem që kam përfunduar në FSK.

Manushaqja ka filluar të luftojë për të drejtat e grave sepse së pari mendon që gruaja është shtyllë shumë e rëndësishme për çdo shoqëri, prandaj duhet të trajtohet me shumë dinjitet. Si gratë ashtu dhe burrat janë qenie inteligjente, prandaj edhe duhet të trajtohen njëjtë. Mungesa e edukimit ose logjikës së shëndoshë i bën individët ose grupet e caktuara që të ndjehen superior ndaj njerëzve me gjini të kundërt. Me ligjin e shenjtë të natyrës para së gjithash jemi njerëz dhe në vend se të përpiqemi të nënvlerësojmë njëri tjetrin duhet të zgjedhim të bashkëpunojmë. Injoranca është vetia që më pëlqen ta luftoj pa marrë parasysh kauzën, për mua pjesë e injorancës është edhe patriarkalizmi. Në shumicën e rasteve qasja pozitive dhe edukimi janë armët e mia më të forta që përdorë në luftën për te drejtat e grave, prandaj edhe reagimet e familjarëve dhe shoqërisë janë të buta. Kuptohet ka edhe raste kur shoqëria më ka gjykuar për favorizimin e grave, por gjithmonë jam munduar që ta zgjidh çështjen me një debat të shëndoshë.

Si grua në ushtri shpesh më ndodhë që të ftohem nga OJQ të ndryshme që mbrojnë të drejtat e grave, por aktivitet me rëndësi të veçantë do ta cilësoja pjesëmarrjen time në radhët e FSK-së. E veçanta e këtij profesioni është se është një botë e dominuar nga burrat ku prezenca e grave shpesh nuk është e dëshiruar. Gjatë gjithë kohës sa jam në FSK përpiqem që t’i thyej stereotipet e përcaktuara për gratë, sidomos duke refuzuar “favoret” që zakonisht bëhen në formë mirëkuptimi për gjininë time e cila kinse nuk mund të përballoj kërkesat e profesionit që ka zgjedhur me vet-dëshirë. Gjithashtu, vazhdimisht tentoj të mos cilësohem “më ndryshe se të tjerat” në kuptimin pozitiv, “kompliment” që zakonisht përdoret nga burrat që refuzojnë të pranojnë se gratë munden.

Kur flasim për të drejtat e barabarta të grave në Kosovë, Manushaqja thekson që gratë në Kosovë janë pjesa e shoqërisë që ka dhënë me së shumti nga vetja që ky popull të mbijetoj në çdo fazë të vështirë në histori, por përveç lavdisë që e meritojnë, shumë prej tyre fatkeqësisht nuk gëzojnë as të drejtat themelore.

Fuqizimi i gruas do të thotë shtet i fortë me shoqëri të emancipuar. Gruaja sot luan një rol shumë të rëndësishëm në strukturën bazë të shoqërisë që është familja. Një grua e fuqishme me edukim të mirëfilltë dhe pozitë të ngritur si në shoqëri ashtu edhe në institucione vendim-marrëse të një shteti do të sillte një frymë të re për shtet ndërtim që bazë do të kishte prosperitetin për çdo familje. Në Kosovë ka shumë institucione themelore që kanë përgjegjësi për krijimin e një situate ku mungon fryma e barazisë sociale. N një pjesë të madhe të jetës e kalojmë në institucione arsimore, prandaj investimi në reforma pozitive në këtë sektorë do të ishte një shtysë e madhe për të fuqizuar frymën e barazisë gjinore.

Sa i përket punës, përpiqem që vazhdimisht t’i motivoj gratë në FSK që të përkushtohen maksimalisht dhe të besojnë në aftësitë e veta, qoftë përmes udhëheqjes me shembull ose edhe në takime të veçanta. Gjithashtu, për ato pjesëtare që kam përgjegjësi, kujdesem për mirëqenien e tyre dhe që të marrin një trajtim me dinjitet. Kuptohet që ka ende shumë për tu bërë. Vetëdijesimi i grave që të refuzojnë lehtësime të pa nevojshme të bazuar në gjini për mua ka shumë rëndësi, prandaj edhe për eliminimin e këtij elementi përkushtohem shumë. Kam qenë pjesë e paneleve të ndryshme dhe tavolinave të rrumbullakëta ku kam paraqitur vazhdimisht vështirësitë që gratë në institucion të sigurisë i hasin vazhdimisht, duke tentuar që të jem sa më reale. Jam përpjekur që shqetësimet e tyre t’i përcjell nga dora e parë dhe të kundërshtoj çfarëdo situate jo reale që ka për qëllim të jap një informacion vetëm për rregullimin e imazhit, por që nuk përkon me atë që ndodhë në terren.

Puna që bëj nuk më lejon që të shtrij aktivitet të madh jashtë institucionit që përfaqësoj, por megjithatë me leje të veçanta mundohem që të ofroj sa më shumë nga përvoja ime.

Manushaqe Nura është oficere në Forcën e Sigurisë së Kosovës me gradën toger. Në uniformë shërben qe 10 vite. Pozita e saj është zëvendës komandant kompanie në Brigadën e Reagimit të Shpejtë.

Aktiviste