“Gjatë jetës sime vazhdimisht jam përballur me të qenit ndryshe dhe betejën për të zënë një vend në shoqërinë përreth. Meqë si shqiptarë përjetonim një represion politik dhe sistematik nga regjimi i atëhershëm jugosllav dhe më vonë serb, rëndësia ekzistenciale e mbrojtjes së  identitetit ishte një mësim që e kisha përvetësuar shumë herët. Më vonë u diskriminova sepse isha shqiptare në një vend të huaj, apo sepse isha vajzë. Por asnjëherë nuk e kam pranuar t’i nënshtrohem një diskriminimi, çfarëdo qoftë ai. Prandaj qëndresa apo këmbëngulja dhe besimi në barazi janë ato çfarë do ta simbolizonin punën dhe karakterin tim”.

Kur përmendim fëmijërinë, Luljeta kujton:” Një përshkrim i jetës sime do të dukej si një film i pabesueshëm. Në moshën 13 vjeçe u obliguam të largoheshim nga Kosova shkaku i angazhimeve politike të prindit tim. Ishte mosha e pubertetit, kur njeriu fillon të formojë një personalitet të vetëm, kur krijon lidhjet e para shoqërore me një rreth të njerëzve jashtë rrethit familjar dhe kjo të jep një ndjenjë sikurse fillove të përqafosh botën. Ishte viti 1991, me plot demonstrata të organizuara, kur unë si kryetare e klasës duhej të kujdesesha që vendimet që i merrnim për të ikur nga mësimi me qëllim të daljes në rrugë për të kërkuar të drejtat tona të njeriut për një jetë me dinjitet, që ato vendime të mos sabotoheshin nga ndonjë shok/shoqe e klasës. I merrnim vendimet në mënyrë demokratike, sepse kur dikush propozonte të dalim në rrugë, unë e pyesja së pari gjithë klasën çfarë mendonin dhe se duhet të jetë vendim unanim. Organizimi i klasës dhe situata asokohe më jepnin ndjenjën sikur isha pjesë e një gjëje më të madhe në shërbim të shoqërisë, nuk isha më unë në rolin tim si individ, por unë në rolin tim si pjesë e shoqërisë. Përjetimi i asaj ndjenje më ka mësuar se çfarë rëndësie ka bashkëjetesa dhe çfarë do të thotë shtet, identitet apo atdhe. Aty e kam kuptuar rëndësinë e organizimit shoqëror dhe bazën e kuptimit filozofik të nocionit të lirisë. Liria ime mbaron aty ku fillon liria e tjetrit. Nëse tjetri nuk pajtohet me mendimin tim, unë duhet ta toleroj dhe respektoj atë qëndrim. Sepse unë si individ i vetëm nuk mund të mbijetoj, por jam tërësisht i varur nga njerëzit përreth meje dhe ideve të tyre rreth bashkëjetesës dhe normave shoqërore. Por edhe kam kuptuar se rrethi mundohet të t’i imponojë normat e tyre. Prandaj, jeta ime është karakterizuar përmes një beteje për ruajtjen e identitetit personal duke ndikuar te rrethi përmes veprimeve të mia shpeshherë revoltuese”.

Si ka filluar Luljeta të luftojë për të drejtat e grave? “Familja ime ishin të mësuar që unë prej një moshe të hershme të isha e ndejshme ndaj kësaj teme dhe e kam ngritur zërin ndaj padrejtësive në rrethin familjar, por edhe me shkrime nëpër media të ndryshme. Gjithsesi, angazhimin tim e shoh si betejë për të drejtat e njeriut, të drejtat e të gjithëve, e jo vetëm të grave. Ndonjëherë edhe mendohem se a nuk do të ishte më mirë që të mos flas për të drejta të grave fare, por të merrem vetëm më të drejta të njeriut. Sidoqoftë, luftoj për të drejta të barabarta për të gjithë sepse njeriu lind me të drejta të barabarta me të gjithë të tjerët, natyra nuk ka bërë dallime mes njerëzve, por njerëzit i kanë bërë dallimet. Arsyeja e angazhimit tim fillimisht është besimi në parimin e drejtësisë dhe barazisë mes njerëzve. Njëkohësisht kam kuptuar se drejtësia është bazamenti i një shoqërie të shëndoshë, pa të cilën asnjë sferë e jetës publike apo private nuk mund të rregullohet si duhet. Angazhimi im konkret kohëve të fundit është fokusuar në gjetjen e hapësirave ligjore në ligjin për familjen apo ligjin për mbrojtjen ndaj dhunës në familje, me qëllim që ato paqartësi në nenet përkatëse të eliminohen”.

Projektin që Luljeta do ta mbajë mend gjithmonë është përpilimi i iniciativës për plotësim-ndryshimin e ligjit për familjen, që pasuria e përbashkët e krijuar gjatë martesës të ndahet në pjesë të barabarta mes bashkëshortëve. “Ishte sfiduese, sepse unë isha politologe e jo juriste. Mbi të gjitha, nuk e dija a do të merrej fare parasysh. Por në bazë të rasteve që njihja dhe përjetimit tim personal që kisha kaluar nëpër gjykata shkaku i dhunës në familje, e dija se po bëhej një padrejtësi e madhe ndaj grave në sistemin tonë gjyqësor. Prandaj e vendosa që ta analizoj situatën sociale të grave, kornizën ligjore relevante me konventat ndërkombëtare dhe ligjet vendore, ta bëj një paraqitje të praktikës gjyqësore dhe të tregoj sa e madhe ështëmospërputhja mes ligjit dhe realitetit në praktikën gjyqësore dhe pastaj të tregoj sa e nevojshme është që të qartësohet ligji. E veçanta ishte se fillova e vetme, por rrugës gjeta shumë njerëz që më përkrahen dhe më frymëzuan, duke e shtyrë këtë kauzë bashkërisht përpara”.

Barazia mes gjinive në Kosovë ekziston deri më tani vetëm në letër. Realiteti është plotësisht ndryshe. Sepse vet mendësia shoqërore është patriarkale, aq shumë patriarkale saqë edhe vet gratë kur të ndahen dhe kërkojnë pjesën e tyre të pasurisë, ju duket se po ia marrin burrit. Shumë grave iu vjen turp të kërkojnë pjesën e tyre të pasurisë, sepse shoqëria punën e gruas me lindjen, rritjen dhe edukimin e fëmijëve dhe mirëmbajtjen e shtëpisë nuk e llogarisin fare si punë. Kjo është edhe pasojë e pajtimit të grave me nënvlerësimin e kontributit të tyre në shoqëri

Fuqizimi i gruas për Luljetën do të thotë: “Fuqizimi i gruas është së pari largimi i vetë grave nga stereotipat gjinore. Fuqizimi i gruas varet nga vetë gruaja, por natyrisht edhe nga ndryshimi i qasjes së burrave. Unë mendoj se dallimet gjinor dhe stereotipat gjinore janë rënduese edhe për burrat, sepse i ngarkojnë burrat me një stereotip mashkullor të tejkaluar për mijëvjeçarin aktual. Nuk e besoj se është e këndshme as për burrat që duhet ta luajnë rolin e të fortit, të turpërohen nëse ju vjen për të qarë, apo të mos kenë guximin të shprehin emocionet e tyre etj. Besoj se burrat kanë nevojë për një emancipim shoqëror më shumë së gratë. Janë burrat ata të cilët duhet të marrin guximin të jenë më të butë dhe më të ndejshëm në raport me rrethin te tyre dhe me gratë. Burrat duhet të kenë të drejtën të jenë më të ndjeshëm pa u përqeshur nga rrethi ynë patriarkal”.

Projektet që kanë pasur ndikim shoqëror janë: Lobim te deputetët për ndryshimin e ligjit për familjen.

Sensibilizimi i publikut për temën e pasurisë së përbashkët.

Propozimi për ndryshimin e ligjit për familjen, që është votuar në Komisionin për Legjislacion.

Luljeta është drejtoreshë e OJQ-së Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi

Aktiviste