Në qoftë se e përkthejmë nga gjuha serbe, emri i saj në shqip do të thotë “Bukuroshe”, por ajo parapëlqen ta quajnë Bukurije, e vetëdijshme se ç’do të thotë. Për të ky emër është i veçantë sepse është pseudonim i dhënë nga shoqet e saja shqiptare. Njohësit e gjuhës serbe tashmë do ta kenë kuptuar se emri i saj është Lepa. Pra, është Lepa Mladjenović (Bukurije), një aktiviste, feministe, fituese e çmimit ”Anne Klein Women’s Award”   dhe lezbike nga Beogradi, Serbia.

Kush është Lepa Mlađenović?

Një emër i njohur për të gjithë në lëvizjen feministe, simbol i aktivizmit në ish-Jugosllavi, ku vazhdon t’i frymëzojë gratë dhe burrat me energjinë e saj magjike. Përkushtimi i saj, padyshim që ndriçon një dritë në këtë botë për të gjitha gratë dhe lezbiket, që ato të ecin të lira dhe të  lumtura.

Fëmijëria:

Ajo e përshkruan një mëngjes tipik të kohës komuniste në ish-Jugosllavi këtë mënyrë: një bukë e prerë hollë, e lyer me gjalpë dhe pak marmelatë të gatuar në shtëpi. Prindërit e saj socialistë-marksistë, ia kujtonin asaj se nuk ka shtypje klasore apo ndarje të roleve gjinore. Por, a po ndodhte me të vërtetë ashtu? Për këtë, Bukurija përdori pasionin dhe mençurinë e saj për të reflektuar në këto ideale.

Nëna e saj:

Lidhja e Lepës me nënën e saj ishte e veçantë. Ajo e përshkruan atë si një grua shumë të bukur e cila e përkrahu gjatë aksioneve feministe. Këtë përkrahje, Lepa ia ktheu duke i sjellë libra. Ajo ishte i vetmi person që i qëndroi pranë, duke e kundërshtuar madje edhe familjen, kur Lepa më 1987 deklaroi publikisht se është lezbike. Nëna e saj nuk ia kishte idenë se në botë ka edhe shumë lezbike të tjera, por megjithatë e përkrahi.

“Çfarëdo që ti bën është e drejtë”, kujton Lepa fjalët e saj duke përshkuar se kjo është drita e besimit që ju duhet të gjithëve. “Dhe në qoftë se nuk kemi pasur nëna të tilla, ne duhet ta shpikim këtë dritë duke e treguar atë për vete dhe për miqtë tanë. Çdo ditë.

Aktivizmi:

Viti 1991. Jugosllavia po shkatërrohej përmes luftërave; shumë të vdekur, shtëpi të shkatërruara, dhunime, terror. Këto ishin momentet më trishtuese për të. Gjatë luftës së parë në Kroaci, më pas në Bosnje dhe Kosovë, Lepa po qëndronte siç thotë ajo në selinë e komplotit kriminal gjithëpërfshirës, pra në Beograd. Për të ishte shumë emocionues takimi me motrat nga vendet e tjera për t’i dëgjuar, përqafimet pafund, siç thotë Lepa deri sa edhe hëna buzëqeshte me to, sepse “Aleancat e grave janë potenciale revolucionare”.

Kjo gjendje e krijuar i shtyri Gratë në të Zeza, ku Lepa ishte bashkëthemeluese dhe aktiviste, të protestonin në Sheshin e Beogradit, kurse gjatë luftës në Kosovë ato protestuan me parullën në duar “SHQIPTARET JANË MOTRAT TONA”. Gratë protestuese ishin veshur të gjitha me ngjyrë të zezë, për të simbolizuar mjerimin e viktimave të luftës, duke mos e thënë asnjë fjalë gjatë protestave. Të kërcënuara nga disa neo-fashistë të cilët donin ta shkatërronin mesazhin, ajo e kuptoi se gjithmonë duhet ta themi të vërtetën feministe përballë regjimeve kriminale.  Sidoqoftë, që nga fillimi Lepa Mlađenović u kujdes për gratë që ishin të mbijetuara të luftës duke iu dërguar furnizimet e nevojshme në anën tjetër të kufirit, vizitoi qendrat e refugjatëve dhe komunikoi vazhdueshëm me gratë nga ana e “armikut” si dhe ndërgjegjësoi shoqërinë për pozitën specifike të grave në luftë dhe dhunën që ato vuajnë.

Kjo grua e cila vazhdimisht ka zhvilluar rezistencë ndaj dhunës, ishte themeluese e disa organizatave si: SOS Telefoni për gratë të cilat kanë përjetuar dhunë nga burrat (1990); Qendra e Gruas Autonome kundër Dhunës Seksuale (1993); Labris – Asociacioni Lezbik për të Drejtat e Njeriut (1995).

Gjatë viteve 1983 – 1993 ajo bashkë-themeloi Grupin Feminist – Gratë dhe Shoqëria (Feminist Group Women and Society) ku organizoi shumë punëtori për dhunën ndaj grave dhe për shëndetin e tyre.

Lepa është një person që bujarisht u dha zë dhe besim shumë grave anë e mbanë Serbisë dhe anë e mbarë botës duke ua ndryshuar  ngadalë… ngadalë botën e tyre të brendshme. Lepa Mlađenović është njëra prej atyre grave që besojnë se lidhja e motrave nuk njeh kufij. Ajo ka marrë pjesë pothuajse në të gjitha ngjarjet feministe të organizuara në vitet e tetëdhjeta në të gjithë Jugosllavinë, duke formuar në mënyrë aktive kuptimet e “Feminizmit Jugosllav”.

“Kur gratë fillojnë të duan trupat e tyre, patriarku veç është dëmtuar”, është njëra ndër thëniet e saja të preferuara.

Lepa Mlađenović u lind dhe u rrit në Beograd, në qytetin nga i cili s’u largua kurrë…

Aktiviste