E lindur më 1984 në Prishtinë të Kosovës, në qytetin nga i cili u largua për një kohë të gjatë, Jeta Krasniqi është një grua e cila në momentin e parë që e takon lë një kujtim tek ti. Historia e saj interesante, zëri, pasioni dhe përkushtimi janë disa elemente që e identifikojnë atë. Ajo është një ndër ato gra aktiviste e cila ka një rrëfim mbresëlënës, e cila e ka dëshmuar se është e përkushtuar për të luftuar për të drejtën dhe të mirën e shoqërisë sonë. Ajo gruan e sheh si forcë të demokracisë, të zhvillimit dhe të shoqërisë të cilën synojmë ta ndërtojmë.

Jeta Krasniqi edhe përkundër egërsisë së sistemit të atëhershëm serb në Kosovë, ishte një fëmijë i lumtur dhe me ambicie. Ajo e potencon se është me shumë fat që ka një familje e cila e ka rritur me dashuri të pakursyer.

“Më kanë hapur dyer dhe kanë besuar në mua. Mbështetja e tyre e pakursyer më ka mësuar mbi të gjitha të kem besim në vete, të besoj në forcën time për të sjell ndryshim, për t’u përballur dhe për të mos u stepur para sfidave”.

Kur Jeta ishte 9 vjeçare, ajo dhe familja e saj u shpërngulën në Tiranë të Shqipërisë. Një fëmijë, e rritur në një familje mes artit dhe aktivizimit, Jeta ka trashëguar nga babai i saj dimensionin artistik të përqasjes ndaj jetës në përgjithësi, kurse nga nëna e saj ka trashëguar aktivizimin për të drejtat e grave. Një simbiozë interesante, sepse nga të dy ka marrë vendosmërinë dhe përkushtimin për punë.

Jeta, gjimnazin e mbaroi në kolegjin turk në Tiranë, ndërsa studimet universitare i ka mbaruar në Eastern Mediterranean University në Qipro për Marrëdhënie Ndërkombëtare me nderime të larta. Studimet pasuniversitare, master në Johns Hopkins University, në School of Advanced International Studies (SAIS) për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Pas përfundimit të studimeve post diplomatike dhe insistimit të prindërve, Jeta rikthehet në Kosovë, për të punuar në ekipin e presidentes Atifete Jahjaga. Në zyrën e presidentes ndër të tjerash ajo mbuloi portofolin e barazisë gjinore dhe punoi me të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Ajo rrëfen se dorëshkrimet e mamasë (siç e quan ajo nënën) ishin përcaktuese për t’u angazhuar në fuqizimin e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës. Nëna e saj kishte ruajtur shënime nga rrëfimet e trishtuara të grave të dhunuara gjatë luftës së Kosovës, në periudhën kur ajo ishte aktiviste, gjatë dhe pas luftës.

“E kujtoj se me kujdesin më të madh të saj, pasi unë isha në një moshë të rritur, ajo filloi ta shpjegojë kontekstin e rëndë të një kategorie të shtypur e të dhunuar për të cilën as që flitej e as që debatohej. Po flasim për vitet 1999-2000. Kaq vjet më vonë, shohim se përkushtimi është shpërblyer dhe këto gra kanë mbrojtje ligjore, kanë zë, kanë identitet dhe janë krenaria jonë. Dhe, kjo thuhet haptas”, shprehet Jeta.

Puna e palodhshme e Jetës dhe organizatave të ndryshme të cilët besuan fuqishëm se kjo kategori duhet të trajtohet me dinjitet nga shteti, bëri që presidentja Jahjaga ta dekretoj në vitin 2014, Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarat e Dhunës Seksuale gjatë luftës. Padyshim për Jetën pozicioni si koordinatore e këtij këshilli si dhe njohja e këtyre grave nga kategoria ligjore dhe vendimi i institucioneve për t’i kompensuar ato pas 18 vitesh ishte një ndër momentet më të lumtura të aktivizmit të saj. Për herë të parë institucionet e shtetit do të punonin së bashku duke e njohur krimin, kurse për Jetën ishte privilegj dhe përgjegjësi e madhe sepse ishte në ballë të një procesi që mund të prekë jetën e njerëzve.

Ndonëse një përgjegjësi e madhe, Jeta është dëshpëruar shumë herë kur është përballur me realitetin e egër të dhunës ç‘njerëzore, stigmës dhe paragjykimeve shoqërore ndaj grave të dhunuara gjatë luftës, të mungesës së drejtësisë dhe vullnetit politik për ta shtyrë përpara një çështje kaq të ndjeshme. Por, nuk është gjunjëzuar asnjëherë sepse ka besuar fuqishëm në këtë kauzë dhe forca e të mbijetuarave të dhunës seksuale ka qenë vlera më e madhe të cilën e ka njohur nga afër.

Paralelisht me aktivizimin e saj për barazi sociale, Jeta është e angazhuar në një sfidë po aq të madhe. Prej dy viteve ajo është drejtuese e projektit të Institutit Demokratik të Kosovë (KDI) për fuqizimin e rolit të kuvendit dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në krye të një procesi kaq të rëndësishëm, Jeta përmend politikane nga Kosova të cilat i kanë prirë normalizimit të marrëdhënieve si: Edita Tahiri (ish ministre për dialog), Blerta Deliu (deputete), Vlora Çitaku (ish ministre për Integrimet Evropiane), Vjosa Osmani (anëtarë e ish-komisionit për Integrime Evropiane).

”Guximi është mbrojtja më e mirë të cilën mund ta ketë një grua”, nga Elizabeth Cady Stanton, nismëtare e lëvizjes për të drejtat e grave gjatë shekullit XIX në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një nga thëniet e preferuara frymëzuese të zonjës Krasniqi.

Aktiviste