Jelena Memet është një person ekstravert, e cila beson në ndryshime dhe punon pa u ndalur për të krijuar një ambient më të mirë për gratë serbe. E lindur më 1978 në Kurshevac, Serbi, një grua e cila ka përjetuar dhunë dhe diskriminim, sot me guximin e saj ajo avokon për ta ndryshuar jetën e shumë grave të pashpresa në Serbi. Ajo është një zë i fuqishëm dhe një rreze dielli mes reve të ngrysura për gratë nga grupet e margjinalizuara, të cilat shtypen, dhunohen dhe torturohen nga burrat.

Fëmijëria e saj është një përzierje e kujtimeve të mira dhe të këqija. Vajza e një gruaje serbe dhe një burri me prejardhje mikse (shqiptare dhe ukrainase), ishte e vetmja fëmijë në familje. Babai i saj ishte i sëmurë me kancer gjatë gjithë fëmijërisë së saj. Atij iu dashtë të përkujdeset për Jelenen, ndërkohë e ëma punonte për ta siguruar jetës e familjes. Jelena qysh e vogël u mësua se edhe burrat mund dhe duhet të gatuajnë, kujdesen për fëmijët, sepse rrethanat ia kishin mësuar këtë gjë. Familja e saj nuk ishte tipike patriarkale si në shumicën e Serbisë.

”Që nga fillimi ai më ka mësuar se vajzat dhe djemtë duhet të kenë vlera të barabarta tek prindërit.. Ishte një kohë kur shoqëria nuk pranonte vetëm vajza në familje, por patjetër edhe djem”, kujton Jelena.

E sot, Jelena është nënë e vetme e një vajze të mrekullueshme, të cilën po e  rritë dhe edukon në vlerat e barazisë. Ajo së bashku me 6 gra në vitin 2013 kanë themeluar Qendrën Alternative për gratë dhe vajzat, me qëllim që të mbrojnë dhe promovojnë të drejtat e grave dhe të drejtat e grupeve të margjinalizuara. Por, për t’ju kundërvënë shoqërisë së “burrave”, Jelenës iu distancuan edhe shumë miq të saj, por familja ishte gjithmonë afër, duke ia ofruar gjithë dashurinë dhe përkrahjen e nevojshme.

“Është e vështirë.. tejet e vështirë, kur ti nuk i përket shumicës në shoqëri, nuk pajtohesh me mendimet e tyre dhe me gjepurat që qeveria i servon tek populli” Kontributet e Jelenës për përmirësimin e grave në Serbi por edhe në rajon janë të pafundme. Kjo grua, është një promotore e paqes, duke thyer murin e mosbashkëpunimit mes Kosovës dhe Serbisë. Për të është shumë e veçantë dhe e rëndësishme ndërtimi i paqes, dhe për këtë në bashkëpunim me ARTPOLIS, përkrahur nga organizata Kvinna Till Kvinna (KTK) organizojnë për tri vite Shkollën Pranverore të Feminizmit, duke i bërë bashkë gratë e reja nga Kosova & Serbia. Për herë të parë, shumë vajza nga të dyja shtetet kanë pasur mundësinë që të shkëmbejnë fjalë, tregime, t’i shprehin ndjenjat e përbashkëta dhe idetë mbi lirinë dhe barazinë universale.

Për të, gratë në Serbi janë në një rrugë shumë të vështirë. Një pjesë e madhe e shoqërisë pret që gratë duhet vetëm të kujdesen për familjen dhe të lindin fëmijë. Ato po vriten, dhunohen e torturohen nga burrat. Jelena si një shpirt për të gjithë ato gra të poshtëruara dhe dhunuara, rebelohet së bashku me shumë gra të tjera për 8 Mars duke protestuar në sheshin e Beogradit. Për të këto momente janë ndër më të lumturat gjatë aktivizmit të saj, përfshirë edhe motërzimin dhe solidaritetin mes grave aktiviste. Por, ka edhe momente shumë dëshpëruese… “E ndjejë një dëshpërim dhe lodhje nga përpjekjet për të bërë ndryshime pozitive në shoqëri, shoh se nacionalizimi është në rritje, pa ndryshime në politikë dhe çdo herë dyert institucionale janë të mbyllura për organizatat të cilat punojnë në përmirësimin e të drejtave të grave”, përshkruan ajo momentet kur dëshpërohet. Jelena, e cila, sot e drejton Qendrën Alternative për Gratë organizojnë punëtori për të rinjtë për ngritjen e vetëdijes për temat si: drejtësia tranzicionale , fashizmi dhe nacionalizmi. Po ashtu, kjo qendër është duke zbatuar një iniciativë të përbashkët për parandalimin e dhunës ndaj grave të reja në Serbi, e përkrahur nga KTK.

Aktiviste