Jadranka Miličević thotë se është heroinë e vetës së saj. Para se lufta ta trazojë jetën e saj, ajo kishte një fëmijëri të lumtur, e rrethuar me shumë dashuri dhe kishte mundësi t’i realizonte disa nga ëndrrat e saja fëmijërore. Në klasë të parë, për shkak të suksesit ajo fitoi një libër të quajtur “Tregimet e grave partizane” nga shkolla Banko Ćopić, Sarajevë. Jadranka ishte po ashtu kampione e tenisit për qytetin e Sarajevës, kurse në moshën 21 vjeçare ajo i bëri hapat e parë drejt pavarësisë të saj. Në vitet e 70-ta ajo kaloi testin e vozitjes që për atë kohë vozitja ishte vetëm për burra.

Vitet 92 – 96 ishin shumë të vështira për të. Një vit para fillimit të luftës në Bosnje, ajo filloi t’i kundërshtojë të tjerët që flisnin në emrin e saj, duke kërkuar më shumë të drejta për gratë, si një aktiviste paqësore, duke i thënë JO luftës dhe dhunës. Ajo u detyrua që të largohej nga shtëpia e saj e shkatërruar dhe për ta gjetur një adresë të sigurt për familjen e saj, kështu që në vitin 1992 u shpërngulë në Beograd si refugjate, duke jetuar në një banesë të vogël me familjen e saj.

Qëndrimi i saj në kryeqytetin serb e përcolli me shumë aktivitete. Ajo iu bashkua Grave në të Zeza nga viti 1993 deri më 1996, duke protestuar për krimet e shkaktuara nga Serbia në rajon. Gjatë kësaj kohë, ky grup ishte një dritare për botën duke i ofruar shumë mundësi dhe pak çaste lumturie në një periudhe krize e dhune. Jadranka kujton se si organizonin koncerte ne kampe, shfaqje teatrale, mësime të gjuhëve të huaja dhe kurse fotografie. Nga kjo periudhë, Jadranka rrëfen se është edhe një libër i quajtur “Unë kujtoj” që mblodhi përjetime personale nga gratë refugjate. “Çdo të mërkure në kemi dal në sheshin e Beogradit, duke protestuar ndaj regjimit kriminal që ishin përgjegjës për luftërat”.

Jadranka e cila gjeti përkrahje dhe paqe me shoqet e saja tek Gratë në të Zeza, i dhanë asaj një shpatull mbështetës për ta mësuar dhe ndihmuar në linjën telefonike SOS për viktimat seksuale të luftës në Bosnje. Pas përfundimit të luftës, ajo u kthye në vendin e saj të lindjes (Sarajevë) duke u përkushtuar në kauzën për të drejtat e grave dhe ndërtimin e paqes mbi çdo simpati nacionaliste. Ajo themeloi dy organizata Fondacionin CURE dhe “Gratë për Gratë” dhe sot punon si projekt menaxhere në Care International Balkans duke udhëhequr programin për përfshirjen e grave rome në Ballkanin Perëndimor, zbatuar në Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi dhe Mal të Zi.

Së bashku me Fondacionin CURE kanë realizuar shumë iniciativa të suksesshme si: 1. Fuqizimi dhe përfshirja e gjeneratave të reja në aktivizëm dhe feminizëm; 2. Përfshirja dhe mobilizimi i grave në komunitete të vogla duke avokuar për t’i ndryshuar politikat konservatore dhe patriarkale dhe për të aprovuar konventat: Konventa për Eliminimin e të gjitha formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW) dhe Konventa për Parandalimin dhe Luftimin e dhunës ndaj Grave dhe dhunës në Familje (CAHVIO). 3. Avokimi përmes sistemit edukativ për ta parandaluar dhe kundërshtuar dhunën si dhe krijimi i hapësirës së sigurt për gratë nga komuniteti LGBTIQ me anë të punëtorive për të rezistuar homofobinë dhe transfobinë.

Jadranka ka fituar çmimin “100 heroinat e botës”, çmim ky që i njeh guximin dhe aktivizimin jetësor të shumë grave në botë si dhe në vitin 1998 fitoi çmimin e Paqes për kontributin e saj për ndërtimin e paqes dhe promovimin e të drejtave të njeriut (New York, USA). Ishte një ndër gratë e para që inkurajoi përhapjen e feminizmit, në një shoqëri të panjohur duke iu treguar që feminizëm do të thotë barazi, drejtësi dhe mundësi të barabarta mes grave dhe burrave. Ajo ishte po ashtu njëra nga iniciatorët për Ligjin për Barazi Gjinore, ku Bosnjë dhe Hercegovina ishte shteti i parë në rajon që e miratoi, mirëpo duke e zbatuar me shumë probleme.

Jadranka Miličević u lind në Sarajevë më 1957. Sot është nënë e dy djemve, kolege, motër dhe e ve.

Aktiviste