Igon e simbolizon: durimi, këmbëngulësia, vendosmëria, solidariteti. Dëshiron argëtimin, artin, muzikën dhe librat biografik.

Kur kujton fëmijërinë më së shumti i bie në mend që e kanë lazdruar të gjithë në familje. Si fëmija më i vogël në familje të gjithë janë kujdesur maksimalisht që asaj t’i plotësohet çdo dëshire.

Igo ka filluar të luftojë për të drejtat e grave në këtë mënyrë: prindërit e Igos nuk kanë bërë dallime në familjen  se çka mund të bëj një djalë e çka një vajzë. Është rritur e barabartë me vëllezërit. Por kur Igo kuptoi që në periferi te Prishtinës kishte gra që nuk dinë shkrim dhe  lexim atëherë me motrën e saj, Safete Rogova, filluan aktivitetin për t’i mësuar gratë shkrim dhe lexim. Kësisoj lindi shoqata “Motrat Qiriazi”.

Aktivitetet që Igo mban mend gjithmonë janë aktivitetet  që Shoqata “Motrat Qiriazi” ka filluar nga mesi i viteve 90-ta në rajonin e Hasit me qëllim të fuqizimit të grave dhe vajzave përmes aktiviteteve të ndryshme siç janë arsimimi, arti dhe sporti. “Në kohën kur regjimi i Milošević-it mbyllte shkollat shqipe dhe digjte librat shqip, ne në Has hapnim shkolla dhe biblioteka. Për çdo aktivitet kishim planin A dhe planin B sepse duhej te kishim kujdes nga policia e Milošević-it. Kështu që kur hapëm bibliotekën e parë në Has, organizuam një ceremoni të hapjes së bibliotekës, mirëpo kur dëgjuam që policia po afrohej drejt fshatit, atëherë nxorëm daullet dhe krijuam atmosfere dasme. Kur policia pyetën se çfarë po bënim, u përgjigjëm: ”Kemi dasmë”. Mbasi që ata u larguan, vazhduam me ceremoninë e bibliotekës”.

Sot kemi të gjithë mekanizmat e duhur për arritjen e Barazisë Gjinore në Kosovë, por nuk kemi zbatimin e duhur të këtyre mekanizmave, prandaj ne na duhen në pozita vendimmarrëse gra dhe burra që besojnë në barazi dhe që luftojnë për zbatimin e ligjeve e jo të bëjnë vetëm shkelje të tyre.

Fuqizimi i gruas për Igon do të thotë paqe, stabilitet, drejtësi dhe zhvillim. Barazia fillon në familje duke mos bërë dallime se çka mund të bëjë një djalë apo një vajzë. Normat shoqërore duhet ndryshuar.

Disa projektet që Igo ka zhvilluar me Rrjetin e Grave të Kosovës dhe që kanë pasur ndikim shoqëror janë:

Dhuna në familje, 2004. “Organizuam protestë kundër dhunës në familje. Kërkuam ligj kundër dhunës në familje. Mirëpo, meqenëse institucionet nuk besonin se kishim dhunë ne familje, nxorëm hulumtimin: Siguria fillon në Shtëpi. Pastaj doli ligji kundër dhunës në familje dhe u përgatit edhe plani kombëtar kundër dhunës në familje”.

Mbrojtje ligjore dhe drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës. “Më 8 Mars 2012 organizuam protestë me këto kërkesa. U përfshimë në procesin e ndryshimit të ligjit për mbrojtje ligjore për të mbijetuarat e dhunës seksuale dhe përmes angazhimit të këshillit për përkrahjen e të mbijetuarave, udhëhequr nga presidentja Jahjaga, ishim edhe ne si RRGK anëtare, sot ato gëzojnë mbrojtjen ligjore dhe shpresojmë që një ditë do fitojnë edhe drejtësinë”.

Ngacmimet Seksuale: “Në vitin 2014 në rrjetet sociale nxorëm një video ku tregohen ngacmimet seksuale në rrugët e Prishtinës. Pastaj organizuam marshin kundër ngacmimeve seksuale me moton TAKE BACK THE NIGHT. Filloi debat i madh shoqëror, kështu që vendosëm të bëjmë hulumtimin në vitin 2016: Ngacmimet Seksuale në Kosovë. Sot shumë organizata dhe individë i janë bashkuar kësaj iniciative dhe me këmbëngulësi kërkohet qe kjo dukuri të dënohet me mjete ligjore”.

Igo Rogova është drejtoreshë ekzekutive në Rrjetin e Grave të Kosovës.

Aktiviste