Gresa Hasa është lindur në Tiranë në vitin 1993. Përshkrimi i punës së Gresës është zgjedhja për të mos hequr dorë. Të lindësh femër në një shoqëri burrash të dhunshëm do të thotë që shumë herët të vetëdijesohesh për statusin tënd social dhe gjinor; do të thotë që ende pa u rritur, ende pa ia dalë për të logjikuar mbi kompleksitetin e marrëdhënieve të pabarabarta të pushtetit, të ndjesh dhe të kuptosh se bota është ndryshe për ty sepse natyra nuk të ka pajisur me organin fallik të cilit i falet një shoqëri e tërë dhe këtu, ndryshe përkthehet në shtypje, ndrydhje, diskriminim dhe rrëmbim të individualitetit, lirive dhe të drejtave themeltare si njeri dhe vajzë apo grua.

Kur përmendim fëmijërinë, ajo që Gresës i bie në mend është ky moment: “Kapërcimi nga fëmijëria në adoleshencë kam përshtypjen se ka qenë çasti i parë kur u ndërgjegjësova se pritshmëritë e familjes dhe shoqërisë ndaj meje, ishin të ndryshme prej atyre ndaj vëllait tim më të vogël. Teksa e ardhmja e tij shihej si një oqean mundësish të pafundme dhe lirie të pafre, për mua gjërat kishin qenë të stisura që pa ardhur konkretisht në jetë dhe kjo po më komunikohej drejtpërdrejtë vetëm në shenjën e parë të rritjes. Tradita e dhunës e trashëguar brez pas brezi, i kishte mësuar time mëje se me ardhjen e menstruacioneve, vajza nuk duhej lejuar të luante më me shoqet dhe shokët në oborrin e pallatit, se ajo duhej të fillonte të bëhej e aftë për punët e shtëpisë pasi në një të ardhme do të martohej dhe do të duhej t’i dëshmonte bashkëshortit që ishte një shërbëtore e përkryer. Konflikti parësor u shfaq kur interesat, dëshirat dhe mendimet e mia, nuk përkonin me interesat, dëshirat dhe mendimet e të tjerëve për mua. Atëherë kuptova se nëse unë nuk do të gjeja guximin të ngrija zërin për veten time, vetja ime nuk do të ekzistonte, ajo do të ishte në vazhdimësi një projeksion i imponuar i të tjerëve. Kjo ishte sa tronditëse po aq edhe trishtuese! Përpjekja për të ruajtur veten apo për t’u kujdesur për të, u shndërrua në rrugëtimin për ta njohur atë dhe mjedisin përreth gjithnjë e më mirë. Refuzimi për të pranuar çizmen e hekurt të sistemit mbi krye, përpjekja për liri dhe barazi më vonë gjatë viteve, do të më linin të kuptoja se edhe pse kjo protestë nis me mua në një kontekst të mbyllur dhe tepër personal, është në fakt më e madhe se unë dhe më tejkalon. Ky refuzim është orvatja e vazhdueshme në kohë e shoqërisë njerëzore për të mbërritur në stadin më të zhvilluar dhe human për të cilin është e aftë.

Gresa ka filluar të luftojë për të drejtat e grave sepse, personalja është politike. Politika nis në shtëpi e më pas zhvendoset në rrugë e në parlament. Unë jam grua dhe qytetare e Republikës së Shqipërisë. Gjithçka që më cenon si grua, më cenon si njeri dhe qytetare me mundësi dhe të drejta të barabarta me burrat në shoqërinë time. Mbi të gjitha, ky është problem shoqëror, jo individual; privatja ka tipare publike këtu. Çështja e gruas nuk është çështje vetëm e grave por e të gjithë shoqërisë. Nuk mund dhe nuk do të ketë zhvillim shoqëror në asnjë fushë, nëse gratë dhe burrat nuk trajtohen njëlloj e nëse atyre  nuk iu ofrohen mundësi dhe të drejta të barabarta. Është e rëndësishme të kuptohet se patriarkalizmi nuk prek vetëm gratë por edhe burrat. Ai i dëmton të dyja palët. Atij i ndryshon vetëm fytyra por jo përbërja. Nëse ky sistem antivlerash e lë gruan në shtëpi, pa para, pa liri, të shtypur në mos të vdekur, një plaçkë të transferueshme nga babai te bashkëshorti; ai e ngarkon burrin me më tepër përgjegjësi dhe ankthe të një natyre tjetër. Patriarkalizmi e shndërron gruan në viktimë dhe burrin në kriminel, çka është në vetvete një tjetër lloj viktime. Ndryshimi nis nëpërmjet komunikimit, ndarjes së eksperiencave të përbashkëta dhe ndjesive që mbajmë kyçur dhe ky komunikim nuk mund të fillojë askund tjetër më mirë përpos se në shtëpi, ku sfidohen figurat e para të autoritetit. Ftesa për dialog dhe identifikimi i armikut real; të bërit të qartë se problemi ynë nuk është burri por sistemi që na sulmon të dyve, janë ura lidhëse ndërmjet personave të një familjeve e më pas të një shoqërie drejt rrekjes për zgjidhje të përbashkëta.

Projektet që Gresa do i mbajë mend gjithmonë janë: Mesnata teksa gdhinte data 14 shkurt e këtij viti kur së bashku me disa gra të reja, vendosën që t’i mbushnim muret kryesore të Tiranës me parulla që dënonin dhunën. Duke shfrytëzuar simbolikën e Shën Valentinit, ditën kushtuar dashurisë, pas numrit alarmant të vrasjeve me bazë gjininë dhe krimit në familje, ato zgjodhën tri shprehje për t’iu kundërvënë këtij realiteti:

1) “Kush të rreh, s’të do”, çka ishte një  transformim i shprehjes shqetësuese popullore “Kush të rreh, të do”. Ai që të do, nuk të rreh por përkujdeset për ty.

2) “Dashuro, mos vrit!” Dhuna s’të bën të fortë. Në rastin më të mirë të bën viktimë dhe në rastin më të keq, vrasës.

3) Krim pasioni. Në Shqipëri media është ndoshta një problem akoma më i rëndë se dhuna duke qenë se e legjitimon dhe nxit këtë të fundit dhe krimet e urrejtjes i paraqet si krime pasioni apo dashurie.

Të drejtat e barabarta të grave në Kosovë për Gresën nënkupton që gjendja e grave në Kosovë nuk është e ndryshme nga gjendja e grave në Shqipëri. Ato vuajnë njëlloj nga dhuna që u merr jetën e në mos ua merr atë, ua shkatërron. Mbi të gjitha, shteti i Kosovës ende nuk i ka kushtuar grave të dhunuara gjatë luftës, vëmendjen e merituar. Kjo çështje akoma nuk ka fituar tiparet e një diskutimi publik rigoroz dhe një trajtimi po të këtillë në të gjitha nivelet e politik bërjes. Megjithatë, puna e vyer e një sërë grave dhe burrave të ndërgjegjshëm për barazi, gjatë këtyre 10 viteve shtet, po shtron dalëngadalë rrugën për zhvillimin e një diskursi feminist. E kam fjalën për aktivistet dhe aktivistët që nuk rreshtin së punuari për një realitet më të mirë për të gjithë. Ndryshimet shoqërore ecin ngadalë dhe frytet ua vjelim me kohën. Për aq kohë sa ka rezistencë, ka shpresë!

Fuqizimi i gruas për Gresën do të thotë mendimi se çelësi për këtë është sistemi edukativ dhe arsimi. Pra, që të kemi ndryshime radikale të mënyrës se si mendojmë dhe veprojmë si shoqëri, duhet të reformojmë prej themeleve vendin ku strukturohet mendimi dhe sjelljet. Shkollat s’mund të luajnë vetëm rolin e informuesit, përndryshe vështirë se do ta meritonin titullin dhe statusin që mbartin. Ato kërkohet së pari, të edukojnë njerëz dhe të nxjerrin nga radhët e tyre qytetarë të mençur e të drejtë, qytetarë të mirë e të respektueshëm.

Respekti, toleranca dhe dashuria nëse s’mësohen në shtëpi, duhet se s’bën të mësohen në shkollë. Në këtë mënyrë do të kemi për shembull, më shumë gra të guximshme, të lira, të cilat s’do të kenë droje apo frikë të kundërshtojnë ato gjëra që nuk iu pëlqejnë, të jenë pjesë aktive e shoqërisë; gra të ndërgjegjshme për rolin e tyre social që e përqafojnë atë por sidomos, që e kuptojnë se ky rol nuk fillon dhe nuk kufizohet te hapësira e shtëpisë apo një burrë.

Projektet që kanë pasur ndikim shoqëror janë:

Aksioni për 14 shkurtin: shkrimi i patrullave / mesazheve kundër dhunës në ditën kushtuar dashurisë, si një mënyrë për t’i bërë jehonë tolerancës dhe për të rikujtuar banorët e qytetit të Tiranës se dhuna nuk është ekuivalent i dashurisë. Nxitja për këtë aksion është situata alarmante e vrasjes së grave në Shqipëri.

Protesta përpara Ministrisë së Drejtësisë në Tiranë, në shtator 2017, kundër vrasjes së një tjetër gruaje. Kjo protestë pati jehonë anembanë vendit dhe u pasqyrua në të gjitha mediat televizive dhe të shkruara, pasi një nga pankartat e përdorura qëlloi të kishte qenë e goditur mjaftueshëm sa për të zgjuar opinionin publik.

Roli i Gresës në shoqëri është: studente, aktiviste, publiciste.

Aktiviste