Furtuna Sheremeti është e lindur në Prishtinë në vitin 1989. Përshkrimi që Furtuna i bën vetes është ky:

“Ka shumë vite që njerëz të afërm po edhe njerëz që i takoj rishtazi më thonë që emri im është fjala që më përshkruan më së miri karakterin. FURTUNË. Konsideroj se jam e pandalshme në gjërat që synoj të arrij, jam e vendosur në qëllimet e mia dhe e shpejtë dhe sypatrembur përballë sfidave. Andaj emri im  FURTUNË konsideroj edhe unë që është ajo fjalë që më simbolizon mua më së miri.

Fatkeqësisht, nuk kam pasur fëmijëri shume të këndshme. Në moshë shumë të re jam përballur me situata që nuk ia dëshiroj asnjë të rrituri, e lëre më një  fëmije. Fëmijëria për mua ka qenë një rrugëtim i pashtruar mirë që mezi kam pritur ta përfundoj. Megjithatë, deri në moshën 5 vjeçare, kur më ka vdekur babai dhe kur konflikti mes shqiptarëve dhe serbëve morën dhenë, kam pasur një jetë të qetë dhe të këndshme. Edhe pse shumë mendojnë  se nuk mbaj në mend, mua më kujtohen shumë mirë pasditet e kaluara me babin i cili në atë kohë ishte i papunë, udhëtimet tona të fundit së bashku në Rugovë dhe shëtitja jonë e fundit tek ish Hotel Unioni. Kujtimet e mia përbëhen nga momente të shkurta që kohë pas kohe më vijnë në mendje e më ngrohin zemrën”.

Furtuna ka filluar të luftojë për të drejtat e grave sepse gjithë jetën ka provuar të punoj në këtë drejtim përmes formave të ndryshme. “E mbaj mend kur kam qenë shumë e re dhe lexoja libra të ndryshëm që në atë kohë ishin pjesë e literaturës shkollore, irritohesha me karakteret, me trajtimin e tyre edhe mbaj mend që shpesh bisedoja me mamin edhe e pyesja se pse karakteret gra ishin gjithmonë viktima të rrethanave e shoqërisë? Përgjatë viteve jam zotuar se do të luftoj  fillimisht për të drejtat e mia në mënyrë që të jem në gjendje të bëhem personazh i mundshëm ndihmues për të drejtat e grave në përgjithësi. Sa i përket familjarëve dhe shoqërisë, nuk ka qenë një moment i caktuar që i kam mbledhur e ju kam treguar për kauzën time. Ata e kanë parë përgjatë rrugëtimit tim se kah po anoj dhe e kanë pranuar me shumë dashamirësi e admirim. Madje ma kanë bërë edhe më të lehtë këtë rrugëtim me përkrahjen e tyre. E sidomos mami, e cila ka qenë shtysë kryesore që unë të bëhem kjo që jam sot. E pavarur dhe e gatshme të luftoj për të drejtat e grave kudo dhe kurdo.

Projektin që Furtuna do ta mbaj mend gjithmonë: “Puna ime është shumë interesante sepse nuk është specifike në tërësinë e saj orientuar për gratë. Por një ndër arsyet kryesore se pse kam zgjedhur drejtësinë dhe lëmin penal është realisht që të ndihmoj viktimat. Viktimat më të mëdha në rastet me të cilat kam punuar gjithmonë kanë qenë gra. Pa përjashtim. Tash që po e mendoj, konsideroj që rastet që më kanë mbetur në mendje janë ato të periudhës kur kam punuar si specialiste e strategjisë gjyqësore, periudhë kjo ku kam pasur rastin të merrem me raste shumë interesante. Më mbetet në mendje gjithmonë një rast që e patëm dërguar në Gjykatë Kushtetuese në lidhje me vrasjen e një vajze të re në rrethana misterioze. Puna masive që pata bërë në atë rast, dhe koha që i pata kushtuar rastit më mbetet gjithmonë në mendje sepse konsideroj që përmes atij rasti kam ndihmuar të ndjerën për t’u dëgjuar, si dhe kam analizuar precedentë shumë të rëndësishëm që tregojnë se nuk duhet lejuar që gratë/vajzat tona të vriten si t’ua dojë qejfi personave të caktuar”.

Të drejtat e barabarta për Furtunën ajo i përshkruan përmes një fjalie të urtë, e cila thotë: . “Grave që dëshirojnë të jenë të barabarta me burrat – ju mungon ambicia”. Nuk më kujtohet kush e ka thënë, por përfundimisht konsideroj që kjo duhet të bëhet parulla përmes së cilës ne gratë vendosim të jetojmë. Realiteti i sotëm në Kosovë lë shumë për të dëshiruar në raport me të drejtat e grave, por konsideroj që qasja jonë shumë herë është e gabuar, sepse ne presim që të tjerët të na japin të drejta. Jo. Të drejtat tona i marrim vet. Mjafton të punojmë shumë, të bëhemi të zonjat e vetes. Nuk ka fjalë që do të më ndihmonte të theksoj se sa e rëndësishme është që të bëhemi të zonjat e vetes e të pavarura. E kam parasysh dhe jam e vetëdijshme që nuk është aspak e lehtë, por njashtu jam shumë e vetëdijshme që nuk është e pamundur.

Fuqizimi i gruas për Furtunën është  deklaratë interesante. Ajo thotë se gratë gjithmonë kanë pasur brenda vetes krejt çfarë iu nevojitet për të qenë mjaftueshëm të fuqishme. Është shoqëria ajo që na ka bindur për të kundërtën. Na ka shtyrë të besojmë që jemi më të dobëta, që roli jonë është dytësor. Në fjalët e Simone de Bevouir ne  jemi “seksi i dytë”. Për këtë arsye, konsideroj që duhet të fillojmë të fokusohemi më shumë në mënyrën se si i rrisim djemtë. T’u japim hapësirë për të marrë frymë vajzave. T’i lëmë të ëndërrojnë njësoj. Ky do të ishte një hap i rëndësishëm për mendimin tim që do të ndihmonte në mbylljen e distancës në mes të mënyrës se si edukohen vajzat e si edukohen djemtë tek ne.

Për projektet ku Furtuna ka punuar dhe të cilat  kanë pasur ndikim shoqëror ajo thotë: “Në fushën në të cilën punoj unë, ndikimi shoqëror shumë rrallë është i atypëratyshëm. Më pëlqen të besoj që puna që kam bërë përgjatë viteve, e që bëj për momentin dhe që do të vazhdoj të bëj, do të ketë ndikim shoqëror afatgjatë që do të vërehet mbase më vonë. Realisht jam shumë e bindur për këtë gjë, dhe kjo është një prej arsyeve kryesore që më shtyn të punoj me vullnet të pashtershëm në këtë drejtim. Sepse duhet pasur parasysh që në fund të ditës nuk është shumë e thjeshtë të punosh shumë për diçka dhe të mos vëresh frytet e punës tënde aty për aty. Por fakti se ndryshimi substancial do kohë, më mban me shpresën se ndikimi shoqëror i punës sime do të vërehet në vitet që pasojnë.

Për momentin Furtuna është duke jetuar në mes të Belgjikës e Kosovës meqë është në studime të doktoratës në Universitetin e Leuven në Belgjikë, fakulteti i drejtësisë/kriminologjisë. Gjithashtu ajo është duke punuar në universitet në Leuven.

Aktiviste