DUA në gjuhën shqipe do të thotë dashuri, e dashuri do të thotë ndjenjë e fuqishme, e thellë që të lidh ngushtë me dikë a me diçka dhe që të bën ta duash me gjithë zemër e të mos kursesh asgjë për të. E ata që e kanë njohur Duan dhe veprat e saj e kuptojnë që ajo e përmbushi profecinë e emrit të saj. Dua ishte e mbushur me jetë, plotë dashuri, e çiltër, frymëzuese dhe një rol model për gjeneratat e reja.

Dua e kishe marrë motrën e saj dy vjeçare për të luajtur jashtë shtëpisë, ku ajo ishte rrëzuar, gjë që e kishte frikësuar tej mase… këtë moment që Dua gjithmonë e tregon si një ndër ngjarjet të cilat i kanë lënë përshtypje, e rrëfen edhe motra e saj e vogël Nexhibja, e cila thotë: “Dua qysh nga vegjëlia e kishte të theksuar ndjenjën e përgjegjësisë”.

Jeta e Duas ishte e mbushur me plot kontribute në lëvizjen e saj për më shumë të drejta ndaj grave të Kosovës.

Në vitet 2005-2006 ajo ka punuar si hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, ku kontribuoi në mënyrë të konsiderueshme për hulumtimin Historia, i cili është edhe tregimi i saj.  Ky libër sjellë rrëfime të grave të fuqishme, frymëzuese, aktiviste nga Prizreni, Krusha e Madhe, Vushtrria e Prishtina. Në vitin 2011-2012, ajo iu bashkëngjit Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) si anëtare e stafit, duke hulumtuar dhe shkruar Me çfarë çmimi?- Alokimet Buxhetore për Zbatimin e Kornizës Ligjore kundër Dhunës në Familje në Kosovë. Në kujtimin për Dua nga Nicole Fransworth dhe Rrjeti i Grave të Kosovës shkruhet: “Në vitet që pasuan, kurdo që RrGK kishte nevojë për kolegë ose hulumtues (sepse dikush ishte larguar), Dua ishte aty të na ndihmonte pa përtesë, duke udhëtuar në Mamushë, në Prizren dhe në komuna tjera, ani pse e lajmëronim në momentin e fundit. Një komunikuese e shkëlqyer, bisedoi lirisht me gra e burra të ndryshëm në gjuhën turke, boshnjake, shqipe dhe serbe, duke përfshirë edhe tema të vështira si dhuna në familje. Ajo ishte një vullnetare e pashoqe në RrGK, duke na dhuruar mijëra orë për të kontribuar në avancimin e të drejtave të grave. Ajo mori pjesë në gati çdo mbledhje dymujore të RrGK-së, duke përcjellë në mënyrë aktive nismat e rrjetit.

Dua Dauti – Kadriu, nëna e Diellës e Alpit kishte ushtruar profesionin e psikologes, si një ndër profesionet më të rëndësishme, e sidomos për shoqërinë tonë të cilët akoma vuajmë nga traumat e luftës, stresi, depresioni. Në emisionin “SOT” në televizionin kombëtar të Kosovës “Kohavision” në rubrikën “Koha për fëmijët”, Dua avokoi për ndalimin e “ushqimeve të shpejta” dhe sheqerit si dhe shpjegoi shumë herë problemet, ngacmimet e fëmijëve në shkollë, sjelljet dhe karakteristikat e fëmijëve. Përveç ligjëratave në programin televiziv, Dua pa përtesë shkonte në shkolla për të diskutuar mbi teknikat e edukimit të drejtë për shëndetin e fëmijëve me prindërit dhe mësuesit.

Dua ishte anëtare e Komisionit të Pavarur për Media në vitin 2017,  anëtare e Bordit të Drejtorëve të RrGK-së, ku ajo shërbeu gjatë vitit 2016 dhe 2017, përfshirë shkurtimisht edhe rolin e saj si Kryetare e Bordit të RrGK-së.

Dua Dauti – Kadriu u largua nga kjo botë tmerrësisht herët dhe padrejtësisht. Ajo u largua tragjikisht nga kjo botë, duke u mbytur në detin e Ulqinit më 6 korrik 2017, në moshën 36 vjeçare.

”Dua donte vlerat. Dashuronte vlerat. Sikur insistonte në to, sikur më merrte për dore dhe thoshte eja ta duam botën, jetën, ato që po kalonim e t’i shtyjmë përpara. Ta shoh, thoshte eja më shpejt se këtu s’do të rri shumë. Do të shkoj shpejtë, pra le të zhytemi në bukuritë e jetës”, e kujton me plot dashuri bashkëshorti i saj, Haliti.

“DUA si lutje, DUA si dashuri, DUA si motër, DUA si nënë, DUA si mike e vërtetë. Kujtimet, të përjetuarat janë të shumta dhe shumë të veçanta, vlerat që Dua m’i ka mësuar nuk kanë fund. Lexo ishte fjala e parë e Allahut dhe Dua vazhdimisht lexonte, ashtu ishte edukuar (të gjitha meritat janë të mamit thoshte), mamin e kishte model për gjithçka, prandaj edhe vet ishte nënë e shkëlqyer që edhe shihet nga bisedat me Diellen dhe Alpin”, e kujton shoqja e saj e zemrës, Mjellma.

“Prindërve të mi që ma falën një fëmijëri plotë me dashuri.

Fëmijëve e mi, që janë dashuria vet.

Bashkëshortit tim, i cili më motivon me dashuri.

Motrave të mia me të cilat ndava mirësinë.

Gjysheve, gjyshërve që janë të adhuruar gjithmonë. Fisit tim mirëdashës.

Mjellmës, mikes sime të përjetshme”

– Është ky shkrim nga Dua, dedikuar më të dashurve të saj.

U prehtë në paqe nëna Dua!

Aktiviste