Për shumicën e grave aktiviste në Kosovë dhe në Rajon, historia u është shkruar në mënyrë të pjesshme. Edhe për aktivisten për të drejtat e personave me nevoja të veçanta, Drita Luri Vukshinaj është shkruar shumë pak.

Drita Luri Vukshinaj ishte fëmija i dytë i Rabijes dhe Hakisë, e lindur më 3 tetor 1954, të cilët jetuan në Kurillë, një lagje e vjetër e Prizrenit, një familje e vogël me pak kushërinj por me shumë dashuri nga miqtë. Në moshën gjashtë vjeçare ajo rrëzohet nga pema e dudit dhe merr një lëndim serioz të këmbës që ishte e pamundur të shërohej atëbotë në Kosovë. Kësisoj, ajo shkoi në Spitalin e Shkupit, të cilët e rekomanduan të qëndronte atje, mirëpo mentaliteti i babit të saj dhe shumë familjarëve të tjerë nuk e lejuan nënën e saj (Rabijen) të qëndroj me të në spital. Kësisoj, ata u kthyen në Kosovë – në vendin ku mjekët rekomanduan t’ia amputonin këmbën.

Kur isha 10 vjeçe e gjysmë na vdiq nëna dhe më pas gjyshja (nëna e nënës) u kujdes për ne sepse babai im ishte nga Tetova dhe nuk kishte familjarë të tjerë në Kosovë.

Pas klasës së shtatë, Drita takoi një grua të cilën nuk e kishte njohur më parë e cila ia rekomandoi spitalin e Bajnicës, në Serbi. Në fshehtësi, pa i treguar askujt, i përgatiti të gjitha dokumentet që i duheshin.

“Kur i bëra të gjitha dokumentet, i thash babës hajde të shkojmë në spitalin e Bajnicës, sepse du me shku atje”, rrëfente Drita momentet rebeluese të fëmijërisë së saj për Oral History.

Natyrisht, mentaliteti i babait të saj shumë shpejtë dëshmoi që ai ishte kundër që vajza e tij të qëndronte në Serbi për t’u mjekuar. Mirëpo, Drita e kërcënoi që do të kërcente nga dritarja nëse ai nuk e nënshkruan lejen e qëndrimit në spital. Aty ajo qëndroi një kohë, ku e përfundoi klasën e tetë, e mësoi gjuhën e shenjave dhe këmba filloi t’i shërohej. Ajo gjithmonë thoshte se kishe lind për të dytën herë kur u kthye në vendin e saj të lindjes pas katër operimeve të përfunduara në Serbi.

Kur ajo arriti moshën për shkollë të mesme, babai i saj e detyroi të shkollohej për daktilografi në Prishtinë, por Drita ishte kundër kësaj, ajo ëndërronte të bëhej inxhiniere e makinerisë. Duke e mashtruar familjen e saj kinse po shkollohej në Prishtinë, ajo ndoqi për një kohë orët në shkollën teknike të Prizrenit pa dijeninë e askujt. Dhe, ishte e vetmja vajzë në klasë.

Kur ajo u njoftua me Akikun (bashkëshortin e saj) refuzoi fillimisht propozimin e tij për martesë për shkak të këmbës që e kishte akoma të sëmurë, por në vitin 1977 ata u martuan. Para se të martohej me Akikun, Drita ishte një ndër vajzat e para të qytetit që shkonte në diskon e parë të Prizrenit së bashku me vëllain e saj të madh, Iliazin. Atëbotë ishte turp që një grua të argëtohej… Në vitin 1974 punoi si menaxhere në Printeks, një fabrikë e fibrave sintetike në Prizren.

Nga viti 1994 ajo punoi pa u ndalur për më shumë dinjitet për personat me nevoja të veçanta. Atë vit, u hap zyra e organizatës HANDIKOS në Prizren, ku ishin të regjistruar vetëm 200 anëtarë. Pas përfundimit të luftës në Kosovës, ku filluan të vinin ndihmat humanitare u lajmëruan shumë persona me nevoja të veçanta, tregonte ajo. Drita së bashku me ekipin dolën në terren, duke punuar ditë e natë për t’i identifikuar dhe regjistruar personat me nevoja të veçanta. Shumë prej tyre nuk kishin dalë asnjëherë nga shtëpia, sepse ishin të dënuar nga familjarët, sepse ishte turp për ta t’i shihnin të tjerët se çfarë fëmije/prindi kishin në shtëpi.

Ajo punoi disa vite si koordinatore dhe menaxhere e programeve në HANDIKOS, dhe më vonë në vitin 2008 themeloi një ndër shoqatat e para për sport për personat me nevoja të veçanta e quajtur “KBK MARSI”- Klubi i Basketbollit me Karroca. Kjo organizatë themeloi edhe grupe të grave në sport si: pingpong, pikado, shah e edhe not, si dhe kurse për gratë në përdorimin e karrocave gjatë garave atletike. Në vitin 2011 bashkë themeloi organizatën “Femra për Femrat me Aftësi të Kufizuar” që synonte fuqizim ekonomik e politik të grave me nevoja të veçanta dhe mundësi të barabarta në shëndetësi.

Drita me organizatat e saj ishte e para e cila iu mundësoi 20 grave me nevoja të veçanta të merrnin lejen për vozitje, organizoi aktivitete kundër analfabetizmit, trajnime dhe kurse për punimin e bizhuterive, rrobaqepësi dhe kompjuter. Me organizatën e saj, për herë të parë ia mundësoi shumë personave me nevoja të veçanta të rehabilitoheshin gjatë verës në detin Adriatik në Shqipëri. Drita po ashtu ishte shumë aktive në Rrjetin e Grave të Kosovës që nga themelimi i organizatës.

Por, ëndrrat e Dritës u shuan në gjysmë, kur ajo në vitin 2014 u diagnostikua me sëmundjen e kancerit. Deri në ditën e saj të fundit, kur ajo i mbylli sytë më 8 Mars 2016, ajo me shumë pasion dhe dashuri luftoi për të drejtat e personave me nevoja të veçanta. Mikja dhe bashkëpunëtorja e saj Mybexhel Zhurri e kujton atë me këto rreshta: “Shpeshherë  ndjejmë se si një dritë apo ndjenjë e jona shuhet për ta ringjallë dikush tjetër. I jemi shumë falënderues asaj që na ndihmoi që përsëri kjo ndjenjë të rikthehet tek ne. Pas humbjeve ne vërejmë se sa miq të vlefshëm humbasim dhe sa të pasur kemi qenë. Drita na mësoi që pa marrë parasysh mos njohjeve apo mos vlerësimeve të mundit duhet vazhduar me përkushtim ndaj qëllimeve të caktuara, se vetëm kështu bëhemi të kënaqur dhe të plotësuar”.

Drita Vukshinaj u nda nga jeta duke lënë pas një pemë të mbushur me cicërima duke lënë pas tri vajza: Sherifen, Fjollën, Filloretën dhe bashkëshortin

U prehtë në paqe zonja Drita!

Aktiviste