Periudha e moshës 15 vjeçare ishte më ndryshe për Blerta Zeqirin, për dallim nga moshataret e saj. Ajo kishte themeluar një bend muzikor, të cilët bënin muzikë RAP. Ajo i kundërshtoi dhe i theu tabut përsëri kur vendosi të studioi filmin, drejtim i përshkruar nga shumica si “profesion për burra”. I thanë se po ia nxë vendin një djali i cili do të krijojë familje, kurse ajo pasi ta përfundojë regjinë do të martohet.

Blerta Zeqiri, sot një regjisore e suksesshme kishte filluar karrierën si vokaliste e një bendi muzikor, andaj një copë të madhe në kujtesën e saj nga fëmijëria dhe adoleshenca zë muzika dhe aktiviteti i saj në muzikë. Grupi muzikor që quhej BAM, kishte marr emrin nga tri vajzat e grupit “Blerta, Ardita dhe Mimoza”, të cilat këndonin në qytetin e Suharekës – një qytet i vogël i njohur për kultivimin e rrushit në regjionin jugor të Kosovës. Ky ishte edhe grupi i parë në Kosovë i përbërë vetëm prej grave që këndonin RAP.

Aktiviteti i saj në muzikë i kishte sjellë shumë momente emocionuese dhe përcaktuese për jetën e saj, duke ia vërtetuar asaj se me punë arrihet suksesi. Ndonëse, një grup i vogël, ato kishin marr pjesë në festivalin shumë të famshëm të asaj kohe “Show fest”, ku edhe kishin zënë vendin e parë dhe një herë vendin e dytë. Blerta, e cila kryesisht i shkruante tekstet e grupit, e kultivoi pasionin për muzikën deri në moshën 19 vjeçare, kur edhe filloi lufta në Kosovë. Nga grupi BAM, sot vetëm Mimoza vazhdon të merret me muzikë. Atë tani e njohin si Mimoza H, e cila vitin e kaluar ka lansuar albumin e saj solo në Kanada dhe ka pasur shumë kritika të mira nga mediat kanadeze.

Blerta në adoleshencë kishte bërë një karrierë në RAP muzikë, për prindërit e saj nuk ishte e papritur që ajo të orientohet në art. Fillimisht, ajo u regjistrua ne degën e Dramaturgjisë në Universitetin e Prishtinës, por zemrën e kishte ne degën e regjisë. Atëbotë, kur ajo i tregoi profesorit të regjisë se ka dëshirë të studiojë për regjinë, ai ia ktheu se “ky fakultet është për burra dhe filmi nuk është profesion për gra”.

“Edhe nëse je më e mira nga të gjithë, ti je femër dhe nesër do të martohesh, do të krijosh familje dhe do ta lësh regjinë. Si përfundim vetëm do t’ia zësh vendi një djali i cili në realitet do të bëj më shumë se ti, sepse ai nuk do ta lë punën e regjisorit edhe pasi të ketë krijuar familje”- kujton Blerta fjalët e profesorit të regjisë në Universitet.

Blerta e cila e studioi filmin në Francë, për punën e saj të palodhshme dhe profesionale ka fituar disa çmime. Në vitin 2012 ishte shpallur si regjisorja më e mirë për filmin e saj “Kthimi” (Return) në “European Independent Film Festival”, i cili zhvillohet në Paris të Francës. Për regjinë e këtij filmi ka fituar edhe çmimin në Sundance, në Sarajevë. Ky film ia hapi edhe dyert Kosovës në imazhin ndërkombëtarë. Kur filmi fitoi në festivalin Sundance, lajmet qendrore në Kosovë kanë filluar me temën e kulturës, gjë që ndodh rrallë.

E filmi i metrazhit të shkurtër, cili i solli asaj disa shpërblime e ka bërë të qajë shumë, por edhe të qeshë. Gjatë xhirimit të filmit, ajo është rrëqethur nga aktrimi i Adriana Matoshi dhe Lulzim Bucollit, dy aktorë të famshëm nga Kosova.  “Gjatë montazhës, kemi qarë e qeshur shumë herë bashkë me montazherin e filmit dhe bashkëshortin tim, Kekën. Kam qarë kur është lëshuar filmi në kinemanë e madhe në Sundance, sepse po më realizohej një ëndërr të cilën as që kisha guxuar ta ëndërroj ndonjëherë. Kam qarë të nesërmen e fitores në Sundance. Është ky projekti që më ka sjellë më së shumti lot. Kam qarë për shkak të temës që trajtohet (viktimave civile të luftës) dhe kam qarë nga gëzimi për sukseset që ka arritur filmi”.

Në filmin “Kthimi” paraqitet jeta e një gruaje që jeton me djalin saj dhe pas katër vitesh kthehet burri për të cilin nuk dinin asgjë, e ai ishte në një burg të Serbisë. Filmi fillon pasi familja bashkohet, pra për ditën e parë të bashkimit. Filmi trajton edhe të mbijetuarat e luftës. Kurse, filmi i metrazhit të gjatë “Martesa” për të është tejet i veçantë për shkak se trajton një trekëndësh dashurie të tri viktimave në shoqërinë tonë patriarkale: Dashurinë e dy burrave dhe gruas së këtij të fundit, e cila është dëm anësor i situatës së krijuar pikërisht nga rregullat johumane të shoqërisë patriarkale.  Filmi kishte premierën në një festival të kategorisë A më 28 nëntor 2017, në Estoni ku u shpërblye me dy çmime në “Tall in Black Nights”, Tallin.

Blerta punon edhe si tutore me nxënësit e shkollave të mesme në projektin  “Shkolla e filmit dokumentar” që organizon Dokufest. Ky projekt trajton të drejtat e njeriut dhe vlerat njerëzore, që e mbush jetën e Blertës me plot energji dhe pozitivitet. Për fund, Blerta sugjeron se ne si shoqëri duhet urgjentisht të ndryshojmë plan programin dhe tekstet shkollore, të cilat ende kanë shumë probleme, sidomos me rolet gjinore të cilat edhe më tej janë të ndara si me thikë në mes të vajzës dhe djalit, burrit e gruas.

Blerta Zeqiri sot jeton në Prishtinë me bashkëshortin e saj, Keka – Kreshnik Berishën, fëmijët Zogun, Natën dhe qenushin Mambon.

Aktiviste