Ariana Qosaj – Mustafa, 41 vjeçare nga Prishtina, Kosovë, ka më shumë se 15 vite përvojë pune në hulumtim dhe në aktivitetet për ngritjen e kapaciteteve që lidhen me sundimin e ligjit, të drejtave të njeriut, të grave dhe çështjet e anti-diskriminimit në Kosovë.

Ariana, si juriste e diplomuar në Universitetin e Prishtinës, si dhe me gradën Master në Studimet Gjinore, Zhvillimin dhe Globalizimin nga universiteti London School of Economics and Political Science në Britani të Madhe ka ndryshuar jetën e shumë grave të Kosovës përmes ligjeve.

Ajo ka ofruar komente nga perspektiva gjinore në shumë ligje të Kosovës sikurse hartimi i Kodit Penal të Kosovës, Ligjit për Barazi Gjinore, Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Ligji kundër Diskriminimit, Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Trafikimi i Qenieve Njerëzore dhe Viktimave të Trafikimit. Po ashtu, ka kryesuar ekipin vendor gjatë administrimit të Kosovës nën Kombet e Bashkuara në Rregulloren 2003/12 për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, e njëjta pastaj është përdorur për të hartuar edhe Ligjin e Kosovës në vitin 2010 për Mbrojtje nga Dhuna në Familje. Ajo është grua, e cila parimisht kurrë nuk e ka duruar padrejtësinë dhe çdo dallim i personave dhe në veçanti trajtimi më ndryshe e irriton. Këtë inspirim, përkushtim ajo e ka marrë nga familja e saj. Ariana e përshkruan nënën e saj, “ si një punëtore e jashtëzakonshme, feministe në vepër si dhe modele për të, e cila e ka influencuar dhe vazhdon të influencoj jetën e saj. Në anën tjetër, bashkëshorti i saj Dritoni është përkrahësi i saj më i madh, siç e quan Ariana një baba i jashtëzakonshëm për vajzat: Andra, Jona, Driana dhe Idina. Kurse, babai i saj,  jurist me shumë integritet dhe profesionalizëm ka mbrojtur gjithmonë të drejtat e punëtorëve. Në jetën e Arianës janë edhe dy vëllezërit e saj, Arbeni dhe Blerimi të cilët janë frymëzimi dhe mbështetja për të.

E rritur në kohë shumë të vështira, të izolimit dhe mungesës bazike të lirisë, ajo me familjarët dhe miqtë kanë dhënë maksimumin e tyre në jetë dhe kanë tentuar ta jetojnë çdo moment te rinisë. Miqtë e saj: Iliri, Nora, Enisa, Beti dhe Eremira, janë pjesë e atyre kujtimeve të Arianës, të cilët e kanë shikuar botën me idealizëm dhe janë munduar për të ndryshuar botën përreth me integritet, vlera dhe pasion.

Pasi që ka një përvojë të madhe në sundimin e ligjit, Ariana rrëfen një histori nga Administrimi i Kombeve të Bashkuara dhe reagimin ndaj dhunës së një burri ndaj një gruaje.

”Atë botë, një grua kishte përjetuar dhunë nga burri i saj dhe ishte strehuar në strehimore, mirëpo, bashkëshorti mund të shkonte dhe ta ngacmonte viktimën sa herë që donte, dhe në fakt këtë e bëri në momentin kur policia u largua. Kjo sepse, nuk kishte urdhra mbrojtës në Rregulloren për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje.

Policët më kishin thirrur tërë kohën duke më pyetur, “Çka ndodhi me Rregulloren? A mund t’i marrim këta urdhra mbrojtës?” “Jo, ende është në formë drafti.” Me siguri se qëndroi për disa muaj në sirtarët e ndonjë këshilltari ligjor të OKB-së, por pas katër muajve ai u nënshkrua. Kjo grua menjëherë kërkoi urdhër për mbrojtje dhe ai e kishte të ndaluar për t’ju afruar 150 m afër viktimës, përndryshe do të arrestohej”, përshkruan Ariana rastin.

Edhe pse ka kaluar një kohë nga ky tregim, gjendja në Kosovë për të drejtat është akoma formale, dhe siç thotë Ariana gratë ende s’kanë barazi në asnjë sferë! Pushteti ekonomik, politik dhe pronësor vazhdon të dominohet nga burrat! Por kemi gra të jashtëzakonshme të cilat sfidojnë çdo perceptimin patriarkal apo nevojën e njerëzve për të marrë gratë në mbrojtje. Besoj qe gratë vetë e sjellin këtë ndryshim dhe janë agjente kryesore të ndryshimit të shoqërisë.

Ariana Qosaj-Mustafa është drejtore e programit dhe hulumtuese e lartë  në Institutin Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave KIPRED. Përpara se t’i bashkohet KIPRED-it, Ariana nga vitit 2011-2013 ishte këshilltare ligjore e presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, duke promovuar gjithmonë rolin e gruas udhëheqëse, pjesë e ekipit organizues të Samitit Ndërkombëtar të Grave në vitin 2012. Ajo ka dhënë kontribut në hartimin e politikave bazë nga përvoja e saj institucionale në misionin OSBE në Kosovë gjatë viteve 2002-2006 për ndryshimin e ligjeve për krijimin e konceptit të mbrojtësve të viktimave të dhunës në baza gjinore, që sot janë pjesë të sistemit të drejtësisë.

Aktiviste