Anisa Ismajli është aktore shqiptare, e cila ka mbaruar studimet për aktrim në Fakultetin e Arteve të Universitetit Publik të Prishtinës në klasën e profesor Faruk Begollit. Në dërrasat e teatrit e në skena filmash duke interpretuar në role të ndryshme, aktorja është parë herë duke qeshur, e herë duke qarë, herë e gëzuar, e herë e trishtuar. Mirësia, humanizmi dhe energjia pozitive, janë tipare që ia japin edhe njëherë emrin e saj Anisa!

Anisa qysh e vogël gjithmonë kishte ëndërruar të bëhej aktore dhe emri i saj t’i njihej. Madje, shpesh herë familja e ka zënë duke aktruar me letra në dorë, e duke aktruar në ndonjë dhomë e vetme. Kurse, sot si një aktore profesioniste, përtej aktrimit, ka gjetur forma të ndryshme për t’i dalë në krahë grave të cilat nuk kanë mundësi që ta ngritin zërin. “Familjarët, shoqëria , besoj se nuk çuditen dhe shpesh më thonë: u nime ti që ju del zot do grave”….ata e dinë dhe më mbështesin”, përshkruan Anisa reagimet e të dashurve të saj kur ajo u del në krahë grave.

Për Anisën varfëria e grave, e sidomos e atyre me fëmijë është e papranueshme. Ajo mundohet aq shumë për t’jua sjellë një rreze dritë shumë nënave vetushqyese dhe familjeve në nevojë nga Kosova, duke realizuar kampanja për mbledhjen e fondeve. Ajo është edhe vullnetare në organizatën ”Nëna dhe Fëmijë të Lumtur”, të cilët mbledhin fonde për gratë e pastreha, të dhunuara dhe të vetme.

Për datëlindjen e saj, Anisa asnjëherë nuk pranon dhurata nga miqtë, por krijon një festë dhe kërkon nga shoqëria dhe familja që të mbledhin disa të holla për një nënë vetushqyese. Kjo kampanje e vogël e Anisës ka rezultuar me shumë suksese, por edhe ka ngritur vetëdijen tek popullata për humanizëm dhe ofrimin e dashurisë ndaj të tjerëve. Përtej kësaj kampanje, Anisa në janar të vitit 2017 ka mbledhur fonde për një familje të dalë nga lufta e fundit.

Ajo kishte qëndruar në temperatura -17 gradë celsius para Postës së Vogël në lagjen Bregu i Diellit, Prishtinë për t’i pritur të mirat që do t’i sillnin të tjerët. Të njëjtin veprim e bëri edhe më 13 dhjetor 2017, ku kishte pritur njerëz para banesës së saj për të mbledhur fonde për një familje skamnore nga Vushtrria.

E përkushtuar për t’i ndihmuar të tjerët dhe për t’i fuqizuar në mënyrën e saj nënat vetushqyese, ajo shpeshherë flet me fëmijët e saj, Dalmatin dhe Melisën për trajtim të barabartë në mes të roleve gjinore dhe rëndësinë e drejtësisë gjinore.

“Fuqizimi është fjalë shumë e madhe e besa edhe e bukur…do të thotë thjesht zbatojeni, kaq! Burrat duhet ta përkrahin, ama vërtetë ta përkrahin e jo vetëm të rrahin një krah ‘hajt se bohet mirë’”.

Anisa për momentin është duke punuar si producente në Radio Televizionin Publik të Kosovës, por duke mos e lënë anash edhe profesionin si aktore. Ajo ka luajtur edhe në disa filma dhe seriale si: ”Kukumi” – (2005) si Mara, ”Jeta e një toke”, – (2002) (serial), ”Atje ku nuk lind dielli” – (1996) (serial), ”Vesa – (1996).

Përpos aktrimit, Anisa ka gjetur një mënyrë për t’i çliruar emocionet pozitive dhe negative. Asaj i pëlqen të shkruaj për gjithçka që e rrethon, si ndihet, më kë i pëlqen të rrijë. Të shpalos realen e fantazinë e saj prej gruaje në proza poetike. Ajo ka botuar librin “Momente”,  i cilësuar si ditar personal që përmbledh çaste të lumturisë, të trishtimit, të imagjinatës dhe momentet më intime të aktores. Libri u promovua në kuadër të edicionit të dytë të Festivalit “Femmes Fatales”, organizuar nga ARTPOLIS.

Aktiviste