Alketa Xhafa Mripa është një artiste e talentuar bashkëkohore, nënë e katër fëmijëve, trajnere e jogës dhe një grua sipërmarrëse e cila udhëheq së bashku më bashkëshortin e saj “Tea House” në Londër.

Alketa Xhafa Mripa filloi rrugëtimin e saj në Londër, fillimisht si studente, më pas si një refugjate nga lufta e Kosovës, e cila sot përmes artit i jep një rreze drite dhe shpresë të gjithë atyre(refugjatëve)që sot janë larg vendlindjes së tyre, në tokën e huaj. Për të, arti është gjuha e zgjedhjes, zëri i saj që udhëton me të kur ajo nuk ka nevojë të thotë asnjë fjalë. Arti, për të, është dëshira për t’i vizualizuar gjërat, atëherë kur fjalët nuk kanë fuqi, janë motivet e saja të punës, synimet për ta shfaqur të vërtetën, të humburën, të harruarën… të pathënën dhe te padëgjuarën.

Alketa u rrit gjatë viteve ’90-ta, në Prishtinë, Kosovë nën regjimin e Millosheviqit . Gjëja e parë kur ajo e kujton fëmijërinë dhe rinin janë një përzierja e emocioneve: lumturi, luftë dhe padrejtësi. Emocioni i lumturisë ia kujton momentet nën çatinë e shtëpisë së saj, brenda rrethit familjar kurse vuajtjet e kombit të saj ia kujtojnë luftën dhe padrejtësinë. Alketa kujton ato vite kur shqiptarëve të Kosovës vazhdimisht u mohonin të drejtat themelore, një kohë kur shqiptarët përjetuan diskriminim në punësim, mos strehim, mos arsimim dhe mos gjykim të drejtë.

“Unë isha shqiptare, andaj nuk më kursyen. Më mohuan edukim në gjuhën time”, kujton Alketa.

Përveç kësaj, ka edhe një gjë e cila do të qëndrojë përgjithmonë me të, e kjo është gjakmarrja. Gjatë viteve të ’90-ta, së bashku më prindërit Alketa mori pjesë në ngjarjet masive për pajtimin e gjaqeve. Për të, ishte hera e parë kur u përballë me ndjenjën e solidariteti kur një shoqëri e tërë, me njerëz nga të gjitha sferat e jetës, gra të varfra dhe të pasura, nga pjesët urbane e rurale, falnin mosmarrëveshjet e vjetra dhe vendosnin të ecnin përpara. Për të, ishte një përvojë e bukur që s’do të harrohej kurrë.

“Mendoj se kjo përvojë ka qenë e rrënjosur thellë në kujtesë, kur e paraqita instalimin e artit ‘Mendoj për Ty’, për të mbijetuara e dhunës seksuale në Kosovë. Kjo sepse doli që të mbijetuarat të përjetojnë atë solidaritet… thotë Alketa.

Instilacioni “Mendoj për ty”, i cili mblodhi rreth 5000 fustane dhe funde të varura në Stadiumin e Prishtinës për të mbijetuara e luftës së fundit, për të ishte momenti më i lumtur në jetën e saj. Ky instilacion kujtoi dhimbjen e tyre si dhe i nderoi ato. Shumë gra e burra ishin mbledhur së bashku për t’ia dhënë një mesazh atyre se ato nuk kishin bërë asgjë të gabuar dhe për t’i thënë “mendojmë për ty”, për ta thyer heshtjen dhe stigmën, duke u shndërruar në dëshminë më të mirë të solidarizimit. Ky instilacion u përzgjedh nga UNWOMEN si një prej ngjarjeve që karakterizuan vitin 2015  në aspektin e barazisë gjinore

Pasi kaloi fëmijërinë e saj në Kosovë, duke përfunduar shkollën fillore dhe të mesme, në vitin 1997 ajo u shpërngul në Londër për të filluar studimet në “Central Saint Martins” duke vazhduar më pas në “Tate Modern” për  historinë e Artit.

Sot Alketa është një aktiviste, artiste dhe feministe. Ajo përmes artit, siç e quan mjetin më të fuqishëm për transmetimin e mesazhit, sjell në sipërfaqe diskriminim dhe mos barazinë mes burrave dhe grave. Përmes krijimtarisë së saj artistike përpiqet të rrisë vetëdijen, të ndryshojë perceptimet, të fillojë dhe të ndërmerr veprime ndaj problemeve në fjalë.

Çdo instilacion artistik, duhet të ketë diçka që e provokon; një padrejtësi që bëhet ndaj një personi apo grupi dhe ajo e ndjen se duhet të veproj mbi të.

Së fundmi ajo ishte e ftuar si një artiste frymëzuese në edicionin e këtij viti të PLATFORMA Festival.

Alketa, po ashtu është e lidhur fort me kauzën për refugjatët dhe trajtimin e tmerrshëm që bota po i bën atyre, ka krijuar instalacionin “Refugees Welcome”, kurse në TEDx Tirana ka folur për artin dhe aktivizmin e saj

E pyetur se çfarë do të thotë fuqizim i grave dhe burrave, Alketa shprehet se fuqizimi i grave duhet të fillojë brenda familjes dhe se nuk është diçka që duhet ta hulumtosh; fillon me atë se si e trajton babai yt nënën tënde, si vëllai yt e trajton vajzën e komshiut. Për të është e pakuptimtë se si dikush duhet të trajtohet ndryshe vetëm për shkak të gjinisë, racës, kombësisë apo besimit të saj … në fund të ditës, ne të gjithë jemi njerëz të kësaj bote.

Ajo admiron se si sot në Kosovë ka shumë individë dhe grupe që luftojnë për fuqizimin e grave, duke përmendur shumë gra si: Myrvete Dreshaj, Zahrije Podrimçaku, Sevdije Ahmeti, Safete Rugova, Igballe Rugova, Vjosa Dobruna, Luljeta Pula, Kaqusha Jashari e të tjera,  të cilat me aktivizmin dhe pasionin e tyre i hapën rrugën gjeneratave të reja për të vazhduar kauzën për barazi.

Aktiviste