Adelina Berisha është fëmija i fundit i familjes Berisha nga Prishtina, Kosovё. Fëmijëria e saj, si dhe e shumicës së gjeneratës së saj të viteve 80ta mund tё ishte gjithçka, por jo fёmijёri. Ajo i takon asaj gjenerate të cilët nё kontaktin e parë me sferën publike janë përballur me padrejtësi dhe diskriminim, i takon asaj gjenerate të cilët u ndaluan të hynë në shkollë në ditën e parë të shkollës më 1 shtator 1991. E s’ka si të jetë ndryshe, kur nga dita e parë cenohesh nga e drejta për arsim e përballesh me shtypje ndaj të drejtave themelore pёr mos angazhim  nё sferёn politike në atë periudhë kohore.

“Normal, ne ishim fëmijë, por mjaftonte që ndonjëherë të kalonim në korridoret e pjesës së shkollës që në atë kohë ishin të ndara vetëm për nxënësit serb, dhe për ne kjo ishte një formё revolte, një  formё e okupimit të hapësirës së shkollës që ishte e paraparë për të gjithë, e që fatkeqësisht nuk ishte”, përshkruan në detaje Adelina periudhën e shkollës fillore.

Adelina, 32 vjeçare sot, atëbotë kreativitetin e saj e vizatoi me flamuj kuq e zi, duke dëgjuar poezi, tregime e duke shkruar hartime të mbushura me dozë të nacionalizimit dhe patriotizmit. Edhe ajo sikurse fёmijёt e tjerё, ndonëse shumë të vegjël, pa e kuptuar se çfarë është protesta ata gjithmonë u bashkuan me turmën protestuese. Mirëpo, pavarësisht kësaj, kjo gjeneratë e protestave ishte gjithmonë e  angazhuar në punë vullnetare sikurse mirëmbajtja e shkollës dhe pastrimi.

Pas luftës së Kosovës sё viteve 1998/1999, Adelina filloi të edukohej për të qenë qytetare aktive. Në vitin 2001, kur ishte 16 vjeçare, u përzgjodh nga Departamenti i Shtetit Amerikan  me përkrahje të SOROS-it qё të marrë pjesë për një muaj në shkollën për debat dhe lidership. Dhe, që nga atëherë, ajo ka filluar të jetë e angazhuar në aktivizëm, fillimisht si themeluese dhe anëtare e grupit debatues të shkollës së mesme të mjekësisë ku ishte nxënëse.

Sot, Adelina është një ndër aktivistet më të zëshme për të drejtat e grave. Ajo gjithmonë ka qenё kudër dallimeve dhe padrejtësive. Si fëmijë, kishte fatin të rritej në familje së bashku me tri motrat dhe vëllain, pa dallime apo favorizime. Ajo nuk kishte menduar se ka role specifike për burra apo gra sepse një gjë të tillë nuk e kishte parë tek nëna dhe babai i saj. Mirëpo, gjithçka ndryshonte në ambientin e  shkollës. Vajzave nuk u lejohej të reagonin apo të rebeloheshin sepse “nuk u kishte hije”; vajzat quheshin të përdala kur ato fillonin një lidhje dashurie dhe e përfundonin për t’u lidhur më dikë tjetër, kurse djemtë ishin “IN” dhe konsideroheshin si më të bukurit. I njёjti dallim ishte po ashtu edhe me rastin e prerjes sё flokёve nё një stil tё caktuar. Pёr shembull, nёse vajzat i mbanim flokët e shkurta disa mësimdhënës e konsideronin këtë gjest si diçka e patolerueshme për një vajzë.

Në moshën 22 vjeçare, Adelina filloi të punonte si ndihmës hulumtuese në Rrjetin e Grave të Kosovës. Projekti i saj i parë që kishte për qëllim krijimin e lidhshmërisë në mes të dhunës në baza gjinore dhe shëndetit riprodhues ishte pёr tё projekti më i veçantë. Aty, ajo e kuptoi se sa të shtypura janë gratë dhe vajzat, dhe se si edhe për gjërat më personale, siç është vendimi për shëndet dhe të drejta riprodhuese, grave dhe vajzave u duhet miratimi i rrethit te tyre. Apo edhe më e rëndë, ato duhet që në heshtje, sikur dikush që po e bënë një vepër të keqe, t’u qasen institucioneve shëndetësore për të kërkuar ndonjë shërbim rreth shëndetit riprodhues.

“Ky edhe ishte hulumtimi i parë i kësaj natyre, i bërë ndonjëherë në Kosovë, dhe mendoj se prurja në sferën publike e një debati të tillë është edhe e veçanta e këtij projekti.

Adelina, tash e shtatë vite është e angazhuar në Rrjetin e Grave të Kosovë, rrjet i përbërë nga 106 organizata të cilat avokojnë për të drejtat e grave. Adelina së bashku më RrGK kanë sjellë hulumtime për dhunën në familje dhe për ngacmimin seksual(hulumtimi i parë në Kosovë i këtij lloji), të cilat kanë pasur ndikim të rëndësishëm në shoqërinë kosovare. Hulumtimi “Siguria fillon në shtëpi” i realizuar në vitin 2008 pati rol të veçantë gjatë hartimit të ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje, pasi që rezultatet e dala nga ky hulumtim ishin edhe bazë për nismën e procesit të krijimit të këtij ligji. Po ashtu, në vitin 2015 realizuan hulumtimet “Mjaft më me arsyetime” rekomandimet e të cilit u morën seriozisht gjatë hartimit të Strategjisë Kombëtare kundër Dhunës në Familje për vitet 2016-2020.

 

“Rrjeti për mua është më shumë se angazhim ditor, është ajo që unë jam sot, ajo që unë sot përfaqësoj dhe për çka luftoj, dhe kjo ёshtё ajo qё kam theksuar mё lart. Rrjeti me ofron një ambient ku unë ndihem sigurt, rehatshëm dhe e përkrahur për tё dhёnё kontributin tim për shoqërinë”, thotë Adelina.

Adelina, e cila beson në triumfin e të mirës dhe se përmes solidariteti e besimit mund të arrijmë tek e mira, thotë se na duhet guxim i madh për ta luftuar mendësinë patriarkale e cila mbizotëron sot në shoqërinë tonë, po njё gjё e tillё, thekson ajo, nuk mund të vijё, përderisa çdo vit pothuajse kemi tё paktёn dy vrasje të grave dhe vajzave, ndёrsa shoqëria jonë ende nuk tronditet nga njё fenomen i tillё. Ajo thekson se  duhet të kemi guxim për t’i ndryshuar rolet gjinore, për ta ndarë në mënyrë të barabartë angazhimin dhe vendimmarrjen e grave dhe burrave në të gjitha sferat e shoqërisë. Ajo beson se gëzimi, vaji, hidhërimi, rebelimi, butësia, mirësia janë emocione dhe reagime që nuk njohin gjini dhe se njё gjё e tillё duhet tё kuptohet. Gjithashtu ajo thekson se duhet ta kuptojmë që dallimet biologjike nuk duhet ta përcaktojnë angazhimin tonë në shoqëri.

“Unë nuk do t’i pranoj gjërat që nuk mund t’i ndryshoj. Unë po ndryshoj gjërat që nuk mund t’i pranoj” – është thënia nga Angela Davis e cila e karakterizon shpirtin rebelues dhe aktivist të Adelinës.

Aktiviste